Biznes

Kina, paketë të re ekonomike për rimëkëmbjen e sektorit të pronave


Në Kinë, Byroja Politike ka sinjalizuar masa për të rimëkëmbur ekonominë e lëkundur nga kriza që ka kapluar sektorin e pronave të ngarkuar me borxhe.

Kështu që, komiteti i lartë drejtues i presidentit Xi Jinping ka vulosur një plan nga Banka Qendrore për huadhënie te bizneset dhe ka përcaktuar mbështetjen për tregun e banesave.

Ndërkaq, tregon e përditshmja “The Guardian”, Banka Popullore e Kinës ka njoftuar se do të shkurtonte rezervat që shumica e bankave duhet të mbajë, duke nxjerrë 1.2 trilionë juanë në ekonomi.

Gjithashtu udhëheqësit kanë rënë dakord të “promovojnë ndërtimin e banesave të përballueshme, të mbështesin tregun komercial të banesave dhe të plotësojnë më mirë nevojat e arsyeshme të strehimit”.

Sipas të pranishmëve në takimin e presidentit kinez, lëvizjet do të “promovojnë zhvillimin e shëndetshëm dhe ciklin e virtytshëm të industrisë së pasurive të paluajtshme”.

Paçka takimit të Byrosë Politike, zhvilluesi i dytë më i madh i pronave në vend, Evergrande, po i afrohet dështimit më të madh në historinë e korporatave kineze.

Firma duhet të paguante 82.5 milionë dollarë për shlyerjet e obligacioneve deri në mesnatën e së hënës, në mënyrë që të shmangte një mospagim automatik.

Mirëpo, disa mbajtës të obligacioneve nuk morën pagesa në afatin e fundit.

Edhe pse Evergrande është përballur me tre afate të ngjashme që nga tetori dhe e ka bërë secilin në minutën e fundit, ka qenë më pak e qartë nëse do të bënte pagesat kësaj here.

Një deklaratë nga kompania ka zbuluar se, mes problemeve të saj financiare, po formonte një komitet të menaxhimit të rrezikut për të “zbutur dhe eliminuar rreziqet e ardhshme”.

Deklarata ndihmoi në stabilizimin e aksioneve, por pasoi me një tjetër deklaratë, ku kompania ka pohuar se mund të mos ishte në gjendje të shlyente disa nga borxhet e veta prej 300 miliardë dollarësh.

Mospagim do të shkaktonte falimentime të tërthorta në të gjitha obligacionet e kompanisë në tregjet ndërkombëtare dhe do ta vendoste Evergrande në rrezik.

Gjë që do të përshkonte sektorin e pronave dhe më gjerë, duke tronditur më tej besimin e investitorëve globalë, veçon “The Guardian”.

Në vend, ekonomia nuk po rritet aq shpejt sa pritej, pasi përballet me shpërthimet e vazhdueshme të COVID-it dhe ngadalësimin e tregut të banesave, dikur një shtytës kryesor i rritjes.

FMN-ja, në muajin tetor, i uli parashikimet për rritjen e Kinës në 5.6 për qind për vitin 2022, e cila është një rënie e madhe për standardet e vendeve të zhvilluara.

Megjithatë, modeste për standardet e kohëve të fundit në Kinë.

Kristalina Georgieva, drejtoresha e menaxhimit të FMN-së, ka thënë se Kina ka një rol të rëndësishëm në ekonominë globale, teksa rimëkëmbet nga COVID-19, por që rritja po ngadalësohej.

“Duke qenë se Kina është një motor jetik për rritjen globale, ndërmarrja e veprimeve të forta për të mbështetur rritjen me cilësi të lartë do të ndihmojë jo vetëm Kinën, por edhe botën”, ka dalluar Georgieva.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore