Lajme

Kina ndalon marrëveshjet ekskluzive për platformat digjitale të muzikës


Në Kinë, autoriteti i të drejtave të autorit ka njoftuar se platformat digjitale të muzikës nuk lejohet të nënshkruajnë marrëveshje ekskluzive për të drejtën e autorit, përveç në rrethana të veçanta.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se njoftimi i autoritetit kinez ka ardhur mes goditjeve të fundit rregullatorë në vend ndaj sjelljes monopoliste në sektorin privat.

Administrata Kombëtare e të Drejtave të Autorit të Kinës (NCAC) e dha urdhrin në një takim në Pekin me platformat muzikore digjitale me ndikim, si dhe kompanitë e të drejtave të autorit të regjistrimit dhe shkrimit të këngëve.

Vitin e kaluar, Tencent Holdings njoftoi se kishte përfunduar të gjitha marrëveshjet ekskluzive për të drejtat e autorit të muzikës pasi u urdhërua nga rregullatori i tregut të Kinës për ta bërë këtë.

Sipas autoritetit, firma zotëronte më shumë se 80 për qind të burimeve ekskluzive të bibliotekës muzikore, duke e lejuar atë të kufizonte hyrjet e reja.

Ndërkaq, NCAC-ja nuk ka përmendur se cilat kompani u lajmëruan për të qenë pjesë në takimin e mbajtur në Pekin.

Përveç Tencent-it, prodhuesi i telefonave inteligjentë Xiaomi, ofruesi i telekomunikacionit China Mobile dhe gjigandi i teknologjisë së internetit Netease, të gjithë zotërojnë shërbime të njohura të transmetimit në Kinë.

Për NCAC-në, praktikat e të drejtave të autorit ishin përmirësuar që nga viti 2015, kur autoriteti ndaloi transmetimin e muzikës pa leje dhe urdhëroi platformat të hiqnin miliona këngë.

Por industria ende duhej të standardizohej më tej.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore