Lajme

Kina mbyll qytetin me 17.5 milionë banorë në përpjekje për të ndaluar shpërthimin e COVID-19


Banorët rreshtohen jashtë një vendi të testimit afër një spitali në Shangai

Qeveria e Kinës ka vënë masa të rrepta për qytetin Shenzhen i cili ka 17.5 milionë banorë, ndërsa përpiqet të ndaloj shpërthimin më të madh të COVID-19 nëpër provinca të ndryshme, me numrat e rasteve që trefishohen brenda natës.

Në një njoftim të bërë nga qeveria kineze të dielën e 13 marsit, bëhet e ditur se të gjitha komunitetet rezidenciale tani ishin nën “menaxhimin e mbyllur”. I gjithë transporti publik është pezulluar dhe çdo banor do t’i nënshtrohet tre raundeve të testimeve, nëse dëshiron të largohet nga shtëpia, raporton e përditshmja “The Guardian”.

Sipas njoftimit, të gjitha bizneset në qendrën e financave dhe teknologjisë, që kufizohet me Hong Kongun, u urdhëruan të mbyllen ose të punojnë nga shtëpia, përveç nëse furnizojnë ushqime, shërbime komunale ose nevoja të tjera.

Shenzhen dhe një numër qytetesh tjera përfshirë këtu edhe qytetin më të populluar të Kinës, Shangai-n, dhe qytetin verilindor të Chanhchun-it në provincën Jilin, do të jenë të kufizuar dhe vendimi pritet të qëndroj në fuqi deri më 20 mars.

Nga 1 mijë e 938 raste të reja të konfirmuara të dielën, më shumë se 1 mijë e 400 ishin në Jilin. Disa banorëve të Cangzhou, në jug të Pekinit, iu tha gjithashtu të qëndronin në shtëpi pasi nëntë raste u raportuan atje, sipas njoftimit të qeverisë.

Në Jilin u raportuan 831 raste të reja, në Changchun 571 ndërsa në qytetin port lindor Qingdao ishin 150 raste të reja. Autoritetet në provincë po rrisin masat kundër sëmundjeve pasi arritën në përfundimin se përgjigja e tyre e mëparshme ishte e pamjaftueshme, sipas zëvendësdrejtorit të Komisionit të Shëndetit provincial, Zhang Yan.

“Mekanizmi i reagimit emergjent në disa zona nuk është mjaftueshëm i shëndoshë”, tha Yan në një konferencë për media.

Kryebashkiaku dhe nënkryetari i Partisë i qytetit Jilin, drejtori i komisionit shëndetësor Changchun dhe shefi i Partisë në një universitet Jilin janë midis të paktën 26 zyrtarëve të shkarkuar ose dënuar për përgjigjet e tyre “të dobëta” ndaj shpërthimit aktual, raportoi media shtetërore.

Një punonjëse shëndetësore i bën një vajze një test për Coronavirus në Pekin.

Numrat e rasteve të raportuara në mesin e 1.4 miliardë njerëzve të Kinës janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera, por përfaqësojnë shpërthimin më të keq të vendit deri më tani. Strategjia zero-Covid e Kinës për shtypjen e shpejtë të shpërthimeve përmes testimit masiv me burime intensive dhe bllokimeve deri më tani ka qenë e suksesshme. Megjithatë, si në vendet e tjera, shfaqja e llojit Omicron – një variant më i transmetueshëm i virusit – ka sfiduar mbrojtjen. Autoritetet kineze kanë miratuar për herë të parë produkte të vetë-testimit të antigjenit për të plotësuar testimin e acidit nukleik të drejtuar nga qeveria.

Kina është ndër disa qeveri në mbarë botën që mbeten të përkushtuara ndaj qasjes së tolerancës zero. Përtej ngushticës, Tajvani po raporton vetëm disa – ose zero – raste ditore. Shteti po ruan kontrollet e saj të rrepta kufitare dhe disa kufizime sociale, dhe ende nuk duhet të përballet me një shpërthim në shkallë të gjerë të Omicron-it.

Zhang Wenhong, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Kinë, të hënën paralajmëroi se shpërthimi i Hong Kongut ishte në “fazën e hershme të një rritjeje eksponenciale” dhe tha se ishte e pashmangshme që disa të hynin në panik, por njerëzit duhet të ruajnë besimin në efektivitetin e bllokimeve, testimeve dhe kufizimet. “Për sa kohë që ne ngadalësojmë, virusi nuk do të jetë i shpejtë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore