Lajme

Kina dhe Rusia ‘shpëtojnë’ Korenë e Veriut nga sanksionet


Kina dhe Rusia kanë vënë veton ndaj një përpjekjeje për të shtrënguar sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut pas një sërë lëshimesh raketash këtë vit.

Kjo shënon ndarjen e parë midis pesë anëtarëve të përhershëm të OKB-së, që kur nisi sanksionimin e Phenianit në 2006.

13 anëtarët e mbetur të këshillit votuan të gjithë në favor të rezolutës që u hartua nga Shtetet e Bashkuara dhe propozoi ndalimin e eksporteve të duhanit dhe naftës në Korenë e Veriut.

Gjithashtu aty shkruhej se duhej futur në listën e zezë grupi i hakerëve Lazarus, për të cilin SHBA thotë se është i lidhur me Korenë e Veriut.

Një Këshill i bashkuar i Sigurimit vendosi sanksione pas shpërthimit të parë të provës bërthamore të Koresë së Veriut në vitin 2006 dhe i shtrëngoi ato gjatë viteve në gjithsej 10 rezoluta që kërkonin – deri tani pa sukses – të frenonte programet e saj bërthamore dhe raketore balistike dhe të ndërpresë fondet.

Vetëm këtë vit, vendi ka kryer gjithsej 23 lëshime raketash, tre prej tyre në më pak se një orë mëngjesin e së mërkurës.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB Linda Thomas-Greenfield e përshkroi votimin si një “ditë zhgënjyese” për këshillin.

Ajo tha se Washingtoni kishte vlerësuar se Koreja e Veriut kishte kryer gjashtë lëshime ICBM këtë vit dhe po “përgatiste në mënyrë aktive për të kryer një provë bërthamore”.

Të dërguarit britanikë, francezë dhe të Koresë së Jugut shprehën frikë të ngjashme.

Pheniani kreu për herë të fundit një provë bërthamore në vitin 2017.

Pasi vendosën veton ndaj veprimeve të mëtejshme, Kina dhe Rusia i thanë Këshillit të Sigurimit se SHBA-të duhet të përmirësojë dialogun me Korenë e Veriut në vend që të zgjedhë më shumë sanksione.

Të dy vendet kanë bërë presion për lehtësimin e sanksioneve për arsye humanitare.

Ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun tha se sanksionet shtesë kundër Koresë së Veriut do të çonin vetëm në më shumë “efekte negative dhe përshkallëzim të konfrontimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore