Lajme

Kina akuzon SHBA-të për shndërrimin e Tajvanit në një “depo municioni”


Kina akuzoi Shtetet e Bashkuara për kthimin e Tajvanit në një “depo municioni” pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 345 milionë dollarësh për Tajvanin.

Zyra e Çështjeve të Tajvanit të Kinës lëshoi një deklaratë duke shprehur kundërshtimin ndaj ndihmës ushtarake të SHBA-ve për Tajvanin, një ishull i shkëputur që Kina e pretendon si territorin e saj, raporton Associated Press.

“Pavarësisht se sa para të taksapaguesve tajvanezë shpenzohen nga forcat separatiste në Taipei, sado armë amerikane të marrin, kjo nuk do të lëkundë vendosmërinë tonë për të zgjidhur problemin e Tajvanit. Nuk do të lëkundet as vullneti ynë i vendosur për të arritur ribashkimin e atdheut tonë”, tha Chen Binhua, zëdhënës i zyrës së Kinës në Tajvan.

Ai vlerësoi se aktivitetet e autoriteteve në Tajvan janë një “fuçi baruti”, e cila rrit rrezikun e luftës në ngushticën e Tajvanit.

Vitet e fundit, Ushtria Popullore Çlirimtare e Kinës ka rritur manovrat e saj ushtarake drejt Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë dhe anije luftarake për të rrethuar ishullin.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi sot se po monitoron lëvizjen e gjashtë anijeve të marinës kineze pranë ishullit.

Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re ndihme ushtarake për Tajvanin me vlerë 345 milionë dollarë të premten, por administrata Biden refuzoi të jepte publikisht detaje mbi përmbajtjen e paketës së ndihmës ushtarake, raportoi më parë Reuters.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore