Shqipëria

Kim takoi drejtuesit e partive politike për zgjedhjet vendore


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u takua me drejtues të partive politike në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Lajmi u bë i ditur nga diplomacia amerikane, duke cituar statusin në median sociale “Facebook”.

“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare”, nënvizoi fillimisht ambasada.

Sipas njoftimit zyrtar, Kim iu kujtoi drejtuesve politikë vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it.

Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë se “shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi”.

Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet, theksoi asokohe ODIHR.

Ndër të tjera, agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës.

Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.

Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Në përmbyllje, vëren deklarata – legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje.

Kjo, me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë.

Diplomacia amerikane ravijëzoi se drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u përmbyll njoftimi zyrtar pas takimit të Kim me përfaqësuesit e partive politike në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore