Shqipëria

Kim: Suksesi i Defender21 afroi partnerët për Defender23


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, përmes një statusi në Twitter ka reaguar pas konferencës së përbashkët të 25 tetorit mes aktorëve qeveritarë sa i takon planifikimit për Defender Europe 2023 në Tiranë.

Për ambasadoren Kim kjo nismë vjen pas suksesit të Defender Europe 2021. Aleatët dhe partnerët, shkruan Kim, janë sërish në Tiranë për të planifikuar Defender 2023.

“Ne do të forcojmë gatishmërinë dhe ndërveprimin në mënyrë që të parandalojmë dhe mbrohemi kundër çdo ofensive në tokë, në det apo në ajër”, nënvizoi Kim.

Takimi

Prej pak muajsh, stërvitja më e madhe ushtarake ballkanike në tre dekadat e fundit, Defender Europe 2021, e përmbylli misionin në Shqipëri.

Një konferencë koordinuese, u zhvilluar më herët mes ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak”, tha në fjalën e mbajtur ministri Peleshi. “Konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike për projektin e ri”.

Sipas ministrit, stërvitje të tilla, tregojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë. Po ashtu, edhe angazhimin e madh të vendit në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore