Lajme

Kim, sërish thirrje ushtrisë së Koresë së Veriut “për të përforcuar fuqinë e saj”


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka bërë thirrje ushtrisë së vendit që “të shtojë forcën e saj në çdo mënyrë për të asgjësuar armikun”.

Kim i bëri komentet gjatë sesioneve fotografike me ushtarë, transmetues dhe të tjerë të përfshirë në paradën e madhe ushtarake që organizoi vendi të hënën në simbol të 90-vjetorit të themelimit të ushtrisë.

Parada e së hënës ka paraqitur disa nga raketat më të fundit të Koresë së Veriut, përfshirë raketën e saj më të madhe balistike ndërkontinentale (ICBM), Hwasong-17 dhe një raketë hipersonike të testuar së fundmi.

Shfaqja demonstroi “modernitetin, heroizmin dhe zhvillimin radikal të Forcave të Armatosura të Republikës dhe epërsinë e tyre të pashoqe ushtarake dhe teknologjike”, u tha Kim ushtarëve në sesionin fotografik, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”, shkruan Albanian Post.

Koreja e Veriut thotë se kundërshton luftën dhe se armët e saj janë për vetëmbrojtje, por në paradën e së hënës, Kim tha se misioni i forcës së saj bërthamore shkoi përtej frenimit të luftës dhe gjithashtu përfshinte mbrojtjen e “interesave themelore” të vendit.

Përgatitjet bërthamore

Muajin e kaluar, Koreja e Veriut rifilloi testimin e ICBM-ve të saj më të mëdhenj dhe ka shenja se, së shpejti, mund të testojë një armë bërthamore për herë të parë që nga viti 2017.

“Imazhet aktuale satelitore tregojnë se përgatitjet janë duke u zhvilluar mirë dhe nuk duhet të konsiderohet si aktivitet i parëndësishëm”, tha Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me qendër në SHBA në një raport të enjten, përcjell Albanian Post.

Analistët, së bashku me zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të SHBA-ve, kanë thënë se Koreja e Veriut duket se po restauron tunelin nr. 3 në vendin e saj të testimit bërthamor Punggye-ri, i cili u përdor për shpërthime bërthamore të nëndheshme përpara se të mbyllej në vitin 2018 gjatë bisedimeve për denuklearizimin me Washington-in dhe Seul.

Kim, që atëherë, ka thënë se vendi nuk është më i detyruar nga ai moratorium i vetimponuar në teste, por Koreja e Veriut nuk e ka komentuar punën ose nuk e ka konfirmuar qëllimin e saj.

Imazhet komerciale satelitore nga e hëna tregojnë ndërtimin e ndërtesave të reja, lëvizjen e lëndës drusore dhe një rritje të pajisjeve dhe furnizimeve menjëherë jashtë hyrjes së re të tunelit nr. 3, tha CSIS.

“Data e testit të shtatë bërthamor do të varet pa dyshim ekskluzivisht nga vendimi personal i Kim Jong Un”, thuhet në raport.

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore