Shqipëria

Kim: Mbështesim Open Balkan/Disa vende e duan Shqipërinë jashtë BE-së


Nga Forumi i 5-të i Energjisë në Evropën Juglindore, Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo nismë që nxit bashkëpunimin në Ballkan – referuar “Open Balkan”.

Sa i takon Bashkimit Evropian dhe çeljes së negociatave me Shqipërinë, Kim nënvizoi se disa vende e preferojnë këtë të fundit jashtë unionit.

Ambasadorja mori pjesë në forum së bashku me ambasadorët amerikanë në Greqi, Jeffrey Payat, në Maqedoninë e Veriut, Kate Mary Byrnes, në Bullgari, Herro Mustafa dhe në Serbi, Anthony F. Godfrey.

Duke folur për Viadiplomacy, Kim tha se Tirana zyrtare ka bërë përparim të madh në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Disa njerëz nuk duan me të vërtetë që kjo të ndodhë, por Ambasada Amerikane dhe unë po ecim përpara, duke u kapur për dore”, theksoi ambasadorja.

E pyetur nga media greke, nëse ka ndonjë vështirësi në këtë perspektivë, Kim shtoi se disa vende preferojnë që Shqipëria të mos jetë në favor të Evropës dhe në favor të Amerikës dhe “ne e dimë se cilat vende janë”.

Lidhur me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Nismën “Ballkani i Hapur”, Yuri Kim tha se “Open Balkan” po kritikohet sepse tre vende po marrin pjesë dhe tre shtete nuk po marrin pjesë nga Ballkani Perëndimor.

“Shpresojmë që tre vendet e tjera do të marrin pjesë. Dhe ne e dimë që këto vende nuk marrin pjesë me vullnetin e tyre, jo sepse tre të tjerat i kanë përjashtuar”.

Më tej, ambasadorja ravijëzoi se duhet të krijojnë një kusht të përshtatshëm për pjesëmarrjen e këtyre 3 vendeve.

Sipas zyrtares amerikane kjo është e dobishme, pasi do të ndihmojë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore