Stil

Kim Kardashian zgjidhet “Ikonë e Modës” nga PCA


Kim Kardashian - në PCA 2021

Modelja dhe sipërmarrësja, Kim Kardashian, të martën e 7 dhjetorit, ka fituar çmimin prestigjioz të “Ikonës së modës” në ceremoninë e “People’s Choice Awards 2021 (PCA)”.

Themeluesja e markës “Skims” është veshur përsëri me një kostum të Balenciagas, ndërsa gjatë pranimit të çmimit, të cilin ia ndau Tracee Ellis Ross, ajo ka kujtuar kohët kur kishte punuar si menaxhere dollapësh dhe si stiliste.

Kim Kardashian në “PCA 2021”.

“Sinqerisht jam shumë e përulur që jam këtu. Fillova si organizatore dollapësh dhe stiliste, kështu që fakti që po fitoj çmimin e ikonave të modës është një moment i rëndësishëm për mua”, tha ajo pas pranimit të çmimit nga Tracee Ellis Ross.

“Jam e përulur çdo ditë që dizajnerët janë të gatshëm të punojnë me mua. Kishte një kohë kur ata nuk ishin. Faleminderit Zac Posen që më çoi në çmimet e mia të para CFDA dhe shumë stilistë të mrekullueshëm, si Ricardo dhe Olivier që besuan vërtet në mua”, ka thënë Kardashian.

Mes tjerash, lidhur me suksesin e saj në botën e modës, Kim, ka falënderuar edhe ish-bashkëshortin, rep artistin, Kanye West.

Kim Kardashian në “PCA 2021”.

“Faleminderit Kanye, që më prezantove vërtet me botën e modës. Unë rashë në dashuri me modën. Kjo është një ëndërr që unë mund të zgjohem dhe të vesh këto rroba të mrekullueshme dhe të provoj gjëra të reja, të rrezikoj. Jam shumë e përulur”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë se shumë vite më parë, Kim Kardashian, kishte punuar si stiliste personale e Paris Hilton. Madje, ajo ishte shfaqur në një episod të vitit 2003 të “The Simple Life” si organizatorja dhe stilistja e dollapit të Paris.

Kim Kardashian dhe Paris Hilton në vitin 2003.

Në anën tjetër, Kim, e cila prej kohësh mban primatin si një nga gratë me më shumë ndjekës në mediat sociale në të gjithë botën, po vazhdon ta shijojë romancën e saj të re me komedianin, Pete Davidson.

Kim Kardashan dhe Pete Davidson.

Ndërkaq, në fillim të këtij viti, Kardashian dhe West, kanë përfunduar martesën e tyre me procese shkurorëzimi, teksa bashkë kanë katër fëmijë: Psalm, Saint, Chicago dhe North.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore