Shqipëria

Kim ka dëmtuar reputacionin e SHBA-ve, thotë Berisha


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët e cilësoi ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim si pjesë e mafies dhe së keqes në SHBA.

“Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore. Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës”.

Ai shtoi se Kim me qëndrimin e saj ka dëmtuar reputacionin e SHBA-ve ën Shqipëri.

“Demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane. Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër”.

Ndër të tjera Berisha ka folur edhe për aksionin e Partisë Demokratike. Ai nuk ka dhënë një datë për protestën, por ka bërë me dije se po bëjnë përgatitje që t’i japin “përgjigje” kryeministrit Edi Rama.

“Shoqëria shqiptare po zien. Përpjekja e tij antikushtetuese për të mos lejuar regjistrimin e vendit në regjistër është akti më armiqësor ndaj demokracisë shqiptare që mund të ketë ndodhur në një vend. Jemi të gatshëm më shumë se kurrë për t’i dhënë përgjigjen që meriton. Ne veprojmë në përputhje me ligjin”, tha Berisha.

Për sa i përket arrestimit të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Arlind Gjokutaj, kryedemokrati u shpreh se “strumbullari” i abuzimeve të Financat, është vetë ministrja Delina Ibrahimaj.

“Ka dy opsione, jam marrë me problemin. Kam të dhëna, të besueshme, se ministrja ka qenë strumbullari. Kjo, është e vërteta çfarë kam unë, ka qenë shtytja kryesore. Kjo kërkon që të shihen dokumente a kanë sigla apo jo, unë e vë dorën në zjarr që ajo ka qenë. Po kjo do faktuar. Ajo ka qenë e apasionuar pas atij problemi”.

Arlind Gjokutaj mbetet në burg së bashku me dy të akuzuarit e tjerë

Ai ka vijuar me akuzat e tij në drejtim të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, për të cilën tha se e ka vendin në burg.

“Olta Xhaçka duke përdorur pushtetin, lidhjet e saj me klanin Rama, lidhje të kahershme, po po… nuk kam asgjë unë që të hyjë në këto lidhje të kahershme, por kur mjerohen shqiptarët, do them gjithçka. Janë vërsulur Olsi, Edi, Artani, Josifi për të mposhtur gjykatën Kushtetuese. Një akt që do të përbënte një atentat të vërtetë të kushtetues dhe goditje për luftën kundër korrupsionit. Çfarë thotë neni 70 i kushtetues? Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit”.

Sipas Berishës,  Xhaçka ka inkriminuar kunatën e saj amerikane si ortake në këtë aferë.

“Olta Xhaçka me këto veprime e ka vendin në burg dhe vetëm në burg. Tani kërkon që të shpëtojë. Kushtetuesja në këtë rast ka kauzën e saj më të qartë, dhe pikërisht për përpjekjen që bën Parlamenti për të shkelmuar kushtetutën, duhet t’i dalë zot Kushtetutës. Të mendosh që të shpëtojë Olta pse Edi Rama nuk lejoi që të vijë në parlament kërkesa, s’ka tallje më të madhe me qytetarët”.

Mbyllet seanca për mandatin e Xhaçkës, vendimi brenda një muaji

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore