Lajme

Kim Jong-un pretendon fitoren ndaj coronavirus-it


Në betejën me COVID-in, Koreja e Veriut ka shpallur një “fitore të shkëlqyer”.

Kim Jong-un ka bërë thirrje për lehtësimin e masave parandaluese dhe e ka përshkruar numrin zyrtar të vdekjeve prej 74 si një “mrekulli të paprecedentë në historinë e komunitetit botëror të shëndetit”.

Kështu ka bërë me dije media shtetërore vendase “KCNA”.

“Fitorja e arritur nga populli ynë është një ngjarje historike që i tregoi botës edhe një herë madhështinë e shtetit tonë, këmbënguljen e paepur të popullit tonë dhe zakonet e bukura kombëtare për të cilat jemi krenarë”, ka thënë ai.

Koreja e Veriut, infrastruktura e dobët shëndetësore e së cilës nuk ishte e përgatitur për të përballuar një shpërthim të madh, këmbënguli se nuk kishte regjistruar asnjë rast i vetëm për dy vitet e para të pandemisë.

Që nga maji i këtij viti, ka raportuar rreth 4.8 milionë raste në mesin e popullsisë së saj prej 26 milionë banorësh, por ka identifikuar vetëm një pjesë të tyre si COVID.

Kjo e fundit mbase për të shmangur krijimin e alarmit publik dhe për shkak të mungesës së kompleteve të testimit.

Sakaq, ekspertët kanë hedhur dyshime mbi numrin e ulët të vdekjeve të Koresë së Veriut dhe raportet zyrtare për zero raste të reja që nga 29 korriku.

Vendi ka një nga sistemet më të këqija të kujdesit shëndetësor në botë, me spitale të pajisura keq, pak njësi të kujdesit intensiv dhe pa ilaçe apo vaksina për trajtimin e COVID-it.

Nga ana tjetër, ka refuzuar ofertat ndërkombëtare për të ofruar vaksina, megjithëse nuk është e qartë nëse Kim dhe figura të tjera të larta në partinë në pushtet janë vaksinuar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore