Shqipëria

Kim e konsideron “zhgënjim” lirimin e Tahirit


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim e ka konsideruar si zhgënjim lirimin e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri”.

Sipas saj, SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.

“Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi Yuri Kim.

Tahiri do ta kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu, që pranoi kërkesën e ish-ministrit për lirim të parakohshëm me kusht nga qelia, në një kohë kur ka shlyer 3 të katërtën e dënimit.

Tahiri e dërgoi pak muaj më parë kërkesën pranë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.

Ai argumentoi se ka mbajtur kontakte me shërbimin e provës e për këtë arsye duhet të ulet dënimi.

Për vendimin e sotëm ka qenë ekspertiza mjekoligjore e bashkëshortes që ka bindur gjykatën të marrë vendimin e lirimit.

Po ashtu Prokurori i çështjes ka raportuar për sjelljen e mirë të Tahirit.

Kjo nuk ishte kërkesa e parë e Tahirit në lidhje me çështjen.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Tahirit për pezullim të dënimit.

Ishte (GJKKO), e cila të premten e 4 shkurtit dënoi ish-ministrin e Brendshëm, me tre vite e katër muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul në tre vite e katër muaj burg.

Ndonëse i shpëtoi tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ish-ministri i qeverisë së kryeministrit socialist të Edi Ramës, në detyrë deri në mars 2017, ishte i përfshirë në hetimet e zhvilluara në Itali, të cilat çuan në tetor të po këtij viti, në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë të angazhuar në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.

Ai u akuzua se kishte lidhje direkte me dy anëtarë të kësaj organizate, Moisi dhe Florian Habilaj, të afërm të tijët, ku i pari, është dënuar në Itali për trafik droge.

Tahiri reagon pas lirimit nga burgu: Do vazhdoj të kërkoj drejtësinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore