Lajme

Kievi pretendon fitore të mëdha teksa Rusia largohet nga Kherson-i


Ushtria ukrainase duket se ka arritur fitore të mëdha gjatë ditës së fundit rreth Kherson-it, pasi Rusia po tërhiqej nga qyteti jugor.

Sipas trupave ukrainase, sërish është marrë qyteti kyç Snihurivka, 50 kilometra në veri të Kherson-it.

Po ashtu Kievi ka pretenduar shtytje të mëdha në dy fronte pranë Kherson-it, duke përfshirë përparime prej shtatë kilometrash në disa vende.

Kurse Rusia ka njoftuar se ka filluar të largohet nga qyteti, por procesi mund të zgjasë me javë.

Njoftimi është parë si një pengesë e madhe për përpjekjet e luftës të Moskës, megjithëse zyrtarët ukrainas ishin skeptikë duke paralajmëruar se manovra mund të ishte një kurth.

Sakaq, nuk kishte asnjë provë të menjëhershme për ndonjë tërheqje masive ruse nga Kherson.

Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës Valeriy Zaluzhny ka thënë se nuk mund të konfirmonte ose mohonte tërheqjen, por ka treguar se forcat e tij kishin bërë përparime të rëndësishme.

Zaluzhny ka shtuar se ushtarët e tij kishin lëvizur përpara në dy fronte në bregun perëndimor të lumit Dnipro, duke marrë kontrollin e 12 vendbanimeve.

Ndërkohë, Snihurivka ndodhet në një kryqëzim rrugor kryesor dhe është një qendër hekurudhore për rajonin e Mykolaiv, i cili kufizohet me Kherson-in në veri dhe perëndim.

Trupat ukrainase kanë rimarrë në total më shumë se 40 vendbanime nga kontrolli rus gjatë avancimeve të tyre në Ukrainën jugore, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.

Gjenerali Zaluzhny ka thënë se Rusisë nuk i kishte mbetur asnjë alternativë veçse të arratisej, pasi linjat e saj të furnizimit u shkatërruan dhe sistemet e komandës u ndërprenë.

Më vonë, ministri ukrainas i Mbrojtjes ka treguar se Rusisë do t’i duhej të paktën një javë për t’u tërhequr dhe se nuk ishte e lehtë të parashikoheshin veprimet e armikut.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore