Kosova

KiE: Merret vendim që aplikimi i Kosovës t’i përcillet Asamblesë


Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës i përfaqësuar nga 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Njoftimin për kalimin e kësaj faze të parë në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në KiE e ka dhënë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në llogarinë e saj në Facebook.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”.

Megjithatë, Gërvalla vuri në pah se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

“Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu”.

Për këtë të arritur të Kosovës, ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës, por edhe shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”.

Pavarësisht kësaj, kryediplomatja kosovare ka theksuar se numri i skeptikëve ishte i madh.

“Sot e dimë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve. Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit theksoi se “Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Kreu i ekzekutivit ka potencuar se “shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”.

“Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në Facebook se “së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës”.

“Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar presidentja.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Procedurat e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.

Këshilli i Evropës është organ krejtësisht e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Këshilli nuk kontrollohet nga BE-ja.

Sipas procedurës, aplikacionin e një shteti fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare.

Kjo Asamble përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore