Lajme

Khamenei përgëzon forcat iraniane mbi përballimin e protestave ‘të dhunshme’


Udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka përgëzuar forcat speciale iraniane Basij, mbi përballimin e protestave të emërtuara si “të dhunshme” nga ana e tij.

Protestat në Iran u zhvilluan fillimisht pas vdekjes së një 22-vjeçareje, Mahsa Amini, e cila u dhunua barbarisht nga Policia e Moralit dhe ndërroi jetë tre ditë pas ngjarjes.

Më pas, për shkak të përleshjeve mes protestuesve dhe forcave policore, qindra persona kanë humbur jetën në Iran, përfshi edhe disa minorenë.

Demonstruesit, që prej ngjarjes me Aminin, kanë ndërmarrë akte për kritika ndaj Qeverisë, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e të resë.

Mirëpo, sipas Khameneit, ata kanë treguar një fytyrë kundër vendit të tyre, teksa mbronte forcat speciale Basij mbi rolin e tyre.

“Kanë sakrifikuar jetën e tyre për të mbrojtur qytetarët nga protestuesit e dhunshëm”, lëvdoi Khamenei forcat Basij. “Prania e tyre në terren, tregon se Republika Islamike është gjallë”.

Establishmenti i klerit iranian, ka akuzuar ndër të tjera Perëndimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbi çfarë po ndodh në Teheran dhe gjetkë në Iran.

Për ta, janë agjentët e huaj, ata të cilët po krijojnë ngjarje të tilla trazirash, me përpjekje për të destabilizuar situatën në Iran.

Mirëpo këtë, edhe sipas Khameneit, nuk e kanë arritur.

Në shifra tërësore ndërkohë, sipas disa agjencive të lajmeve, të cilat raportojnë në mënyrë të pavarur nga Irani, 448 protestues kanë gjetur vdekjen, përfshi 63 fëmijë.

Nga radhët e forcave të sigurisë, kanë mbetur të vrarë 57 syresh. Ndërsa, rreth 18 mijë persona, janë arrestuar lidhur me trazirat e shkaktuara.

Prej tyre, dy kanë marrë dënimin me vdekje.

Por, shqetësim ka se mund të ketë edhe shumë dënime të tjera kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore