Lajme

KFOR-i përplaset me protestuesit në Zveçan


Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që është publikuar në mediat serbe shihen protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët janë shpërndarë edhe protestuesit serbë që ishin mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

Ndryshe, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore