Kosova

KFOR-i konfirmon për Albanian Post praninë e EULEX-it në Veri


Patrullimit e EULEX-it

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), i është bashkuar misionit paqeruajtës të KFOR-it për të patrulluar pikat kufitare të veriut të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak.

Këtë e ka konfirmuar KFOR-i përmes një përgjigje me shkrim për Albanain Post.

“Për të rritur ndërgjegjësimin e situatës, KFOR-i ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit Jarinje dhe Bërnjak, ka ngritur disa pika të kontrollit të trafikut dhe ka rritur patrullimin në zonë së bashku me personelin e Misionit te Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje për Albanain Post.

Ndërkaq, tutje nga ta është sqaruar së këto masa janë marrë me qëllim që të ketë siguri të shtuar.

“Këto masa janë marrë për t’i mundësuar KFOR-it të reagojë me shpejtësi ndaj çdo sfide të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”.

KFOR në Veri

Tutje nga KFOR-i është thënë se mision i tyre për mbrojtjen e shtetit të Kosovës është i qartë.

“Komandanti ynë, gjeneralmajor Kajari, është në kontakt të rregullt si me organizatat e sigurisë së Kosovës ashtu edhe me shefin e mbrojtjes serbe”.

“Neutraliteti i KFOR-it është thelbësor për suksesin e misionit të tij. KFOR-i u bën thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna. KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve për reciprocitet për në fillim të shtatorit, kjo për arsyeje se më 31 korrik serbët në Veri u revoltuan dhe vendosën barrikada në rrugë.

Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , u takuan në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk arritën ndonjë rezultat konkret.

Takimi trepalësh në Bruksel me 18 gusht.

Pas këtij takimi, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për dy ditë kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me liderë institucionalë dhe të partive opozitare.

Më 25 gushti ata u takuan edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë shmangia e përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Çka janë targat KM?

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) janë targa që Kosova deri i konsidero ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore