Shqipëria

KFOR-i angazhohet në shuarjen e zjarreve në Kosovë e Shqipëri


Foto: KFOR

Forca e NATO-s (KFOR), nëpërmjet një komunikate për shtyp të enjten, ka njoftuar se aviacioni i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në kuadër të misionit të KFOR-it ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Kosovë dhe Shqipëri.

KFOR-i ka njoftuar se kanë reaguar në rajonin e Gjakovës dhe Tropojës për të neutralizuar rrezikun e zgjerimit të zjarreve. “Asestet e KFOR-it vazhduan të ofrojnë ndihmën e tyre deri në eliminimin e rrezikut nga zjarri”.

Falënderues ndaj KFOR-it është shprehur ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten në mbrëmje, ka deklaruar se aktivizimi i mjeteve ajrore amerikane shpëtoi nga djegia shumë prona, shtëpi, pyje, madje edhe jetë njerëzish.

“Dua të falënderoj komandantin e KFOR-it, i cili aprovoi menjëherë kërkesën e palës shqiptare për ndihmë […] strukturën e komandës-kontrollit amerikan që vuri në dispozicion mjetet ajrore, pilotët që morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarreve, si dhe përfaqësuesin tonë kombëtar në Komandën e KFOR-it […] për zbatimin e operacionit për shuarjen e zjarreve”.

Ndryshe, njëzetenjë (21) korriku i kësaj jave ka qenë dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në botë, në bazë të të dhënave paraprake të publikuara më 23 korrik nga monitoruesi për motin i Bashkimit Evropian (BE). E vatra të zjarrit ka në pjesë të mëdha në mbarë Evropën Jugore dhe Lindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore