Lajme

KFOR, EULEX dhe ambasadorët evropianë bisedojnë për dialogun dhe sigurinë në Kosovë


KFOR-i

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, ka takuar këtë të mërkure ambasadorin e Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ata të shteteve anëtare të BE-së, si dhe shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilët ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe stabilitetin rajonal.

Lajmi është bërë i ditur nga KFOR-i, përmes një komunikate për media.

“Ata shkëmbyen mendime për një sërë temash, përfshirë aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e saj të OKB-së, si dhe bashkëpunimin e KFOR-it me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, dhe përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se gjeneralmajor Ulutas theksoi “angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”.

“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon njoftimi.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të mërkurën me ambasadorët evropianë, të cilëve ua ka theksuar nevojën “imediate”, të heqjeve të masave ndëshkuese – të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të refuzimit të ekzekutivit të drejtuar nga Albin Kurti për de-eskalimin e situatës në Veri të vendit – pasi që ka vlerësuar se të njëjtat krijojnë mungesë ekuilibri në dialogun me Serbinë.

Me Tomas Szunyog, Olivier Guerot, Antonello De Riu dhe Mathias Conrad, siç ka njoftuar zyra e presidentes, Osmani ka diskutuar zhvillimet aktuale në fushën e politikës dhe atë të sigurisë.

“Në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në Veri të vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, thuhet aty.

Në takim me ambasadorët, e para e vendit “ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje”.

Heqja e masave, ka vlerësuar ajo, “do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta”.

“Për më tepër, gjatë takimit ajo ritheksoi se për fat të keq Serbia nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj e as për sulmin e agresionit kundër Kosovës në shtator të vitit të kaluar”.

Kjo situatë, në vlerësimin e presidentes, mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon.

“Një pjesë e takimit iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, me ç’rast Presidentja ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë”.

“Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë”.

Osmani i kërkon ambasadorëve evropianë heqjen e masave: Krijojnë mungesë ekuilibri në dialog

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore