Lajme

Kevin Spacey urdhërohet të japë 31 milionë dollarë për producentët e “House of Cards”


Kevin Spacey e ka humbur apelin për të anuluar një vendim arbitrazhi prej 31 milionë dollarësh për producentët e “House of Cards”.

Aktori, në nëntor, u urdhërua të paguante shumën pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale që përfshinin anëtarë të rinj të ekuipazhit që punonin në produksion.

Referuar dokumenteve, Spacey kishte bërë kërkesë për të anuluar urdhrin, por kërkesa e tij u refuzua nga një gjykatës amerikan në Los Angeles.

Gjykatësi Mel Red Recana ka shkruar se Spacey dhe avokatët e tij “dështojnë të demonstrojnë se kjo është edhe një çështje e ngushtë” dhe “nuk demonstrojnë se shpërblimi i dëmit ishte kaq i paarsyeshëm sa që përbën një ribërje arbitrare të kontratave të palëve”.

Sakaq, avokatët e palës tjetër kanë thënë se ndjehen të kënaqur me vendimin e marrë.

Arbitri arriti në përfundimin se Spacey kishte shkelur në mënyrë të përsëritur detyrimet kontraktuale për të ofruar shërbime “në mënyrë profesionale” që ishin “në përputhje me udhëzimet, praktikat dhe politikat e arsyeshme”.

Sidomos, politikat kundër ngacmimit.

Aktori ka luajtur në “House of Cards” për pesë sezone, duke luajtur rolin e politikanit Frank Underwood, përpara se të largohej nga shfaqja pasi dolën akuzat.

Zhvillimi i fundit vjen menjëherë pasi Spacey u paraqit në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar për të mohuar “me forcë” akuzat e mëtejshme për sulme seksuale që datojnë 17 vjet më parë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore