Lajme

Këto janë çmimet e derivateve në Kosovë


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është duke vazhduar të publikoj çmimet tavan për shitjen e derivateve.

Sipas njoftimit të ministrisë, të mërkurën çmimi maksimal i lejuar i gazit 0.76 cent, ndërsa çmimi i lejuar për naftë është 1.60 cent ndërkaq për benzinë është 1.33 cent.

Këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e së mërkurës dhe janë të vlefshme për 24 orë.

Më 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar me unanimitet, udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse, në Kosovë.

Udhëzimi administrativ në fjalë bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori, të mbrohet konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg dhe për qëllime të tjera të interesit shtetëror, ka deklaruar ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në mbledhjen e qeverisë.

“Në bazë të të dhënave që posedon Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të konfirmuara me evidencë nga bizneset, nga Dogana dhe ATK, të cilat evidenca kanë argumentuar që ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e çmimeve në tregun botëror, prandaj për faktin që mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar apo përkufizimin e marzhës tregtare”, kishte deklaruar Hajdari.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore