Lajme

Këtë javë takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s, flitet për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë


Ministrat e jashtëm të NATO-s është planifikuar të takohen këtë javë ku do të shqyrtojnë situatën e sigurisë në Afganistan, Ukrainë dhe Gjeorgji, si dhe rolin e NATO-s në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në mes të tensioneve në rritje midis Serbisë dhe Kosovës dhe ambicieve separatiste në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Srpska, raporton Anadolu Agency (AA).

Po ashtu do të diskutojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë grumbullimin e ushtrisë ruse pranë kufirit ukrainas,

Takimi, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillohet në kryeqytetin e Letonisë Riga më 30 nëntor – 1 dhjetor.

Takimi pritet të fokusohet rreth Rusisë pas grumbullimit të fundit ushtarak nga ana e Moskës pranë kufirit ukrainas.

Zyrtarët e NATO-s deklarojnë hapur se aktivitetet ushtarake ruse në Krime, e cila u aneksua ilegalisht në vitin 2014, dhe rreth kufirit ukrainas ngrenë pikëpyetje serioze.

Në një konferencë shtypi të mbajtur javën e kaluar, Stoltenberg tha: “Rusia duhet të tregojë transparencë, të ulë tensionet dhe të deeskalojë situatën”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Duke iu referuar takimit të ardhshëm, ai tha se ministrat do të flasin edhe për krizën e migracionit në kufirin me Bjellorusinë, të cilën ai e quajti “një shfrytëzim cinik i njerëzve të cenueshëm për të ushtruar presion mbi aleatët tanë Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë”.

Gjithashtu do të trajtohet koncepti i ardhshëm strategjik i NATO-s dhe kontributi i aleancës në kontrollin ndërkombëtar të armëve.

Në disa seanca të takimit do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Suedisë, Finlandës, Gjeorgjisë dhe Ukrainës, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s.

Turqia do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, i cili pritet të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologët e tij në margjinat e takimit.

Sipas OKB-së, luftimet midis forcave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë që nga viti 2014 në Donbas kanë shkaktuar më shumë se 13.000 njerëz të vrarë, një e katërta e tyre civilë, dhe deri në 30.000 të plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore