Këta pritet të jenë 14 ambasadorët e rinj të Kosovës

SHFLETO

Flamuri i Kosovës

 

Valon Rashiti
09.09.2021 8:00
Loading Icons...

Tashmë janë bërë gati emrat e 14 ambasadorëve të Kosovës për misione diplomatike, derisa pesë nga ta do të emërohen përmes çelësit politik, nëntë janë diplomatë karriere.

Albanian Post jo zyrtarisht ka siguruar emrat e tyre, por që Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur rreth kësaj çështje.

Megjithatë, disa nga ta janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Ilir Dugolli, është propozuar për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për në Britani të Madhe, ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tani zëvendësministër i Financave Ilir Kapiti.

Ndërkaq për në Francë, Mehdi Halimi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Në Gjermani pritet jetë ambasador Faruk Ajeti, ndërsa Dren Doli në Holandë.

Martin Berishaj, është propozuar ambasador në Kroaci, në zgjedhjet e fundit kishte mbështetur subjektet që janë tash në pushtet

Ish-kandidati për deputet i LVV-së, por edhe ish-ambasador në Australi, Sabri Kiçmari, është propozuar për ambasador në Japoni.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Fuad Morina, në Senegal Albert Prenkaj, në Slloveni Valdet Sadiku, në Çeki Albisiana Kapitaj, Ariana Zherka në Mal të Zi, Gjeneza Budima në Hungari, Arian Zherka në Mal të Zi dhe Skender Durmishi në Shqipëri.

AP ka biseduar në telefon me Sabri Kiçmarin, por ky i fundit nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështje.

“Nuk mund ta pohoj as mohoj një gjë të tillë”, ka thënë Kiçmari.

Por, të pa qasshëm në telefon kanë qenë Ililr Dugolli dhe Faruk Ajeti.

Në anën tjetër, hulumtuesi nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus, Emir Abrashi, për Albanian Post pati potencuar se vonesat e tilla “padyshim që e dëmtojnë Kosovën”, sidomos siç thotë Abrashi, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në skadimin e moratoriumit të imponuar nga Marrëveshja e Uashingtonit – moratorium ky i cili ia pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për ç’ njohje ndaj Kosovës.

“Kosova tashmë është shumë e vonuar në emërimin e Ambasadorëve të rinj, dhe ulja e nivelit të përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë, sigurisht se do ta penalizojë Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me aleatët tanë. Por, përtej faktit që është e vonuar, kjo tregon edhe papjekurinë e diplomacisë kosovare, si dhe qasjen tonë jo-serioze krahas marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.

Ndryshe, më tre shtator të këtij viti, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme për intevistimin e ambasadorëve të lartcekur, pasi s’kishte kuorum.

12 ambasadorë të Kosovës ishin liruar nga detyra në muajin maj të vitit të kaluar nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Pjesa më e madhe nga ta kanë qenë funksionar nëpër partitë politike.

Beqë Cufaj ambasador në Gjermani, Nait Hasani ambasador në Shqipëri, Arbër Vllahiu ambasador në Çeki, Lirim Grajçevci ambasador në Holandë, Shpend Kallaba ambasador në Hungari, Gezim Kasapolli ambasador në Kroaci, Avni Kastrati ambasador në Slloveni, Gjergj Dedaj ambasador në Maqedoninë e Veriut, Hajdin Abazi, ambasador në Australi, Ylber Hysa ambasador në Mal të Zi, Avni Arifi ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti ambasador në Katar, janë të liruarit nga detyra nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.