Lajme

“Kështu jam unë”- kështu përgjigjej Nagip Krasniqi kur e pyesnin në Komisionin Parlamentar për shkeljet në KEK


Abelard Tahiri

“Kur ne i thonim se si vepron një Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës në kundërshtim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, ai thoshte “kështu jam unë”, “këto janë rregulla të cilat i përcaktoj unë sepse unë e drejtoj Korporatën Energjetike të Kosovës”, ka thënë Abelard Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovë, në seancën plenare të Kuvendit këtë të enjte, kur po kërkonte që të mundësohej debati me ministren e Ministrisë së Ekonomikë, Artane Rizvanolli.

Kjo, pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, një ditë më parë, nën dyshimin se eqpërdori disa tenderë, një prej të cilëve kap shifrën 3.4 milion euro.

“I njëjti sot është në paraburgim, e ju sot, po na mohoni një debat parlamentar me ministren e cila mbikëqyr punën pikërisht të personit në fjalë”, tha Tahiri.

Ndër të tjera deputeti i PDK-së tregoi për shkeljet që kishte gjetur Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë, e të cilat nuk i kishte mohuar vetë kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi.

“I njëjti, ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit, që nuk mund të ndodhë, drejt një kompanie private siç është KESKO dhe KEDS. I njëjti ka iniciuar tenderë njëburimor si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike. I njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, i njëjti ka pas konflikt interesi. Të gjitha këto janë raportuar në Komisionin parlamentar në kuadër të Komisionit hetimor parlamentar në të cilin ne i kemi diskutu”, ka theksuar Tahiri.

Nagip Krasniqin, deputeti Tahiri e quan “vetëm një vegël” e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ku fjala bie për mafian energjetike dhe keq-menaxhimit të tenderave një burimorë në KEK.

“Padyshim kupola e krejt menaxhimit mafioz e ka një emër është Martin Berishaj. Berishaj ka menaxhuar me të gjitha këto tendera njëburimore, Krasniqi është vetëm një vegël i Martin Berishajt dhe Albin Kurtit në këtë proces”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij kryeshefi i KEK-ut, Krasniqi, është një person jashtëzakonisht i fuqishëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj ka një tendencë të vazhdueshëm të Qeverisë për ta mbrojtur atë.

Çfarë ndodhi?

Nagip Krasniqi kryeshefi i KEK-ut u arrestua të mërkurën nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorime në disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro.

Krasniqi i cili po akuzohet për “Keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim të ndikimit” dhe “Konflikt të interesit”, u mbrojt nga disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e shpallën “të pafajshëm” Krasniqin, ndonëse për këtë ende nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës.

Deputetët e LVV-së, duke mos iu besuar dyshimeve të Prokurorisë Speciale për akuzat që i vihen në barrë ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje hodhën akuzat e tyre ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Deputetët e mazhorancës aluduan se ky i fundit po ”hakmerret” në shenjë pakënaqësie, meqë nuk po dekretohet si Kryeprokuror i Shtetit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi llogaritet si pjesë e “regjimit të vjetër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore