Kosova

Këshilltari i Kurtit për “kërcënimin” e Klinakut: Gjuha e tillë s’e përfaqëson luftëtarin e UÇK-së


Albin Kurti dhe Aziz Bici

Aziz Bici – Këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar pas deklaratës së ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të dalura nga lufta e UÇK-së, e cila nxiti reagime të shumta.

Klinaku në një postim në llogarinë e tij në Facebook tha se “më parë e vret Albin Kurtin sesa e lëshon Kosovën”.

Por, Bici thekson se kjo gjuhë “është e papranueshme për këdo”.

“Veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme, dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës. Kryeministri i Republikës është kryeministër i të gjithëve”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar “është i Republikës për të cilën kemi luftuar”.

“Nuk duhet të pajtohemi për asnjë moment, as si shoqëri e as si veteranë të luftës, që me aq lehtësi të flitet për sulme, kërcënime dhe vrasje të kryeministrit të vendit tonë. Nga gjuha e tilla duhet të distancohen të gjithë”.

Gjuha e përdorur nga Klinaku, sipas Bicit “nuk e përfaqëson luftëtarin e UÇK-së e as veteranin e luftës”.

“Luftëtari i UÇK-së ka mbrojtur dhe luftuar për vendin. Ai nuk kërcënon, nuk sulmon e as nuk vret. Gjeneratat e reja nuk duhet ta krijojnë përshtypjen se kush ishte UÇK-ja përmes gjuhës dhe deklaratave të këtilla iracionale”.

Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit pohoi se kjo është hera e dytë që brenda një muaji shefi i tij po kërcënohet publikisht, dhe se “në të dy rastet ato kërcënime vijnë nga njerëz që po flasin në emër të veteranëve të luftës dhe që përfaqësojnë ata”.

Ai tha se në fund të muajit korrik, ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit ish-luftëtari i UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke folur për veteranët dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë, kërcënonte institucionet dhe kryeministrin ndër të tjerash kishte thënë se ‘kur vijnë ata, nuk vijnë për me i tha puna e mbarë’”.

“Ndërkaq dje, u.d. i Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku fillimisht tha se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, e më pas, në vend që të reflektojë, e përsëritë kërcënimin e njëjtë”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Ekrem Lutfiu.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka intervistuar sot, personin me inicialet, F.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’, ka thënë Lutfiu për AP.

Ai ka thënë se i njëjti pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.

Prokuroria për AP: Klinaku u intervistua për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”

Ndryshe, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ushtruesi i detyrës së OVL e UÇK-së, të martën tha se as nuk e kam votuar, duke iu referuar qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, “as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai”.

Sa i përket daljes jashtë, pohoi ai, “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Kjo deklaratë problematike e Klinakut ka marrë reagim të shumta duke e kundërshtuar një gjuhë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore