Këshilli Kombëtar miraton rezolutën për “ringritjen e PD-së”
Rajmonda Basha
20.06.2023 13:50Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike në mbledhjen e 20 qershorit ka dalë në se riorganizimi përmes një procesi zgjedhor transparent duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe organeve të tjera drejtuese e organizative i shërben dhe mundëson ringritjen e forcës politike.
“Këshilli Kombëtar vëren se demokratët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre përmes votës, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë si një parti që ruan vlerat dhe parimet euroatlantike me akte, jo me fjalë, një parti në bashkëpunim dhe aleancë të plotë me partnerët strategjikë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në rezolutë.
Gjithashtu Këshilli “vlerësoi që në këto momente është përgjegjësi e gjithsecilit, që nga anëtari më i thjeshtë e deri në organet drejtuese dhe përfaqësuese të saj, të veprojnë me pjekurinë, maturinë dhe vullnetin e duhur”.
Gjithashtu sipas Këshillit bazuar në statut për të garantuar funksionimin e strukturave u vendos emërimi i anëtarëve për vendet vakante në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës.
Emërimin e anëtarëve për vendet vakante në Komisionin e Apelimit, Intergritetit dhe Etikës si vijon:
– Artan Murrizi, Anëtar
– Marinela Ziu, Anëtar
– Edlira Devolli, Anëtar
– Rezart Kthupi, Anëtar
Përbërja e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës i është:
– Flutura Açka, Kryetar
– Artan Murrizi, Anëtar
– Marinela Ziu, Anëtar
– Edlira Devolli, Anëtar
– Rezart Kthupi, Anëtar
17 deputetë nuk morën pjesë në mbledhje. Këtë e bëri të ditur kryetari i Grupit Parlamentar njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat.
Sipas tij, mbledhja është ilegjitime dhe e papranueshme për shkak se anëtarët e kryesisë që e kanë njoftuar, kanë vepruar në kundërshtim me statutin duke shkelur kompetencat e tij si Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
Procesi zgjedhor do të drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, ku secili kandidat do të paraqesë kërkesën për kandidim brenda datës 20 qershor.
Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 qershor deri më 27 korrik.
Zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike zhvillohen më 29 korrik.
Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor do të zhvillohet gjithashtu brenda muajit shtator të këtij viti.
Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh më 15 qershor me kërkesë të 1/5 së anëtarëve të saj.
Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi nuk mori pjesë në takim, pasi ka kërkuar të mblidhet Këshilli Kombëtar për të miratuar vendimet.
Sipas një njoftimi zyrtar, me firmën e shtatë anëtarëve të Kryesisë demokrate, janë bërë tre kërkesa.
E para lidhet me miratimin e grupeve të punës për mbikëqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PD-së.
E dyta, me miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike.
E treta dhe e fundit, me plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.
Shtatë firmëtarët, janë Taulant Zeneli, Endri Hasa, Gazmend Koduzi, Taulanda Jupi, Kreshnik Çollaku, Xhemal Gjunkshi dhe Gentian Gaba.
Të gjitha këto, në kuadër të zgjedhjeve për kryetarin e ri të të djathtëve, të cilat mbahen më 29 korrik.
Përplasje të shumta ka pasur mes grupimeve të ndryshme në kampin opozitar, ku kreu i Grupit Parlamentar dhe njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka mbajtur qëndrim kundër zhvillimit të zgjedhjeve.