Shqipëria

Këshilli i Ministrave miraton shtimin e numrit të personaliteteve shtetërore që do të mbrohen nga Garda


Për herë të fundit për këtë vit, Këshilli i Ministrave është mbledhur për të miratuar një sërë vendimesh.

Mes tyre, edhe përcaktimin e personaliteteve shtetërore, që do të merren në mbrojtje nga Garda e Republikës.

Referuar vendimit të qeverisë, janë vendosur mbrojtje nga trupat e Gardës të kreut të BKH-së, gjyqtarëve të GJKKO-së dhe SPAK-ut.

Gjithashtu mbrojtja është shtuar edhe për AKSHI-n dhe Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, pika 1, shkronja “d”, dhe pika 2, shkronja “d”, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në vendimin nr.597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

1 – Në shkronjën “g”, të pikës 1, fjalët “ … dhe Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;” zëvendësohen me “… , Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, gjyqtarët e gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; …”.

2 – Në shkronjën “b”, të pikës 2, pas nënndarjes “iv” shtohen nënndarjet “v” dhe “vi” me këtë përmbajtje:

– “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit;

-Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.”.

Ndërkohë, bëhet me dije se ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e vendimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore