Kosova

Këshilli Evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut


Takimi i mbajtur në Këshillin e Evropës.

Këshilli Evropian në samitin mes liderëve të Bashkimit Evropian që është mbajtur të enjten e 9 shkurtit ka theksuar nevojën urgjente për progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të lëshuar nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit lidhur me temat të cilat kanë diskutuar thuhet se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë “momentin historik” me propozimin e planit franko-gjerman.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre europiane”.

KE kërkon që të zbatohen marrëveshjet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, obligimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”.

Dokumenti i lëshuar nga Këshilli i Evropës.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, para takimit me shefat e shteteve apo qeverive të Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se do t’i informojë liderët për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për atë se çfarë është zhvilluar së fundi.

“Sot, gjëja e parë që do të bëj është t’i informoj liderët për situatën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Beogradit”, deklaroi Borrell.

“Propozimi është në tryezë. Unë i kam bërë thirrje dy liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të kthehen në Bruksel së shpejti, pas disa javësh në mënyrë që të shtyjnë patjetër këtë propozim”.

Sipas tij, kjo çështje ka kaluar nga kriza në krizë, ndërsa tani është koha për të iu shmangur ndonjë përshkallëzimi të mundshëm dhe duhet punuar “në mënyrë konstruktive”.

“Dhe unë do t’u kërkoj liderëve një mbështetje të fortë për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi, dhe do t’u kërkoj që të punojnë seriozisht në këtë propozim, që është e vetmja mënyrë për të provuar zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Borrell: Ju kam bërë thirrje Kurtit e Vuçiç-it të takohen sa më shpejt

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë vetë të ditur në një shkrim në Twitter pas një takimi pune me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se “ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ai shtoi se ky propozim i duket “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të lëvizur përpara”.

Kurti prejse është bërë kryeministër ka deklaruar se nuk pranon asnjë marrëveshje që nuk e ka “njohjen reciproke në qendër”, duke nënkuptuar kështu se nuk vë nënshkrim në asnjë dokument ku Serbia nuk pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Në deklarime të mëhershme ai e ka potencuar se propozimi evropian, i njohur më shumë si propozimi franko-gjerman, është bazë e mirë për bisedime, por në këtë status pas takimit me Lajçak-un është hera e parë që e ka shkruar “se e pranojmë propozimin”.

Por, propozimi franko-gjerman nuk e ka njohjen në qendër, madje njohjen formale nuk e ka as në skaje.

Në versionin e fundit të rrjedhur në publik të këtij propozimi që zyrtarisht nuk është prezantuar asnjëherë, nenet as nuk iu referohen Kosovës e Serbisë si shtete, por vetëm si “palë”.

Nga nenet më të rëndësishme të këtij propozimi është neni 2 ku thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore