Lajme

Këshilli Evropian: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë me shpejtësi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve


Foto: Reuters.

Këshilli Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Në tekstin e Këshillit Evropian është mirëpritur një marrëveshje e tille duke thënë se duhet të hyj në fuqi me shpejtësi.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe planin e zbatimit të saj, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si pjesë integrale e rrugës së tyre evropiane, dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me shpejtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në tekstin e Këshillit Evropian.

Teksti i Këshillit Evropian ku flitet për marrëveshjen e arritur në Oër mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit, ka qenë në rend dite në samitin e Bashkimit Evropian që është zhvilluar të enjten e që do të vazhdoj edhe të premte në Bruksel.

Kjo ishte bërë e ditur në draftin e konkluzave nga samiti i BE-së dhe në të gjendej edhe paragrafi në të cilin përshëndetet arritja e marrëveshjes në Ohër.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim, të implementojnë obligimet e tyre përkatëse”, përmendet në draft të raportit të Radio Evropës së Lirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore