Lajme

Kërkohet rritje e tarifave të energjisë elektrike mbi 70%, qeveria mund ta stopojë me subvencione


KESCO

Në momentin që kompania furnizuese me rrymë në Kosovë (KESCO) fut në sistem energji të importuar që është pesë për qind e gjithë sistemit ose më shumë, atëherë automatikisht ka të drejtë të shpallë kërkesë për rritje të çmimit të tarifave në mënyrë që të kthejë parat e investimit në energji.

Kjo shifër është kaluar thonë nga KESCO prandaj edhe është dërguar kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të çmimeve të tarifave, ku mesatarisht kërkohet rritje prej 70 për qind të çmimit të përgjithshëm të energjisë elektrike.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe tani ZRrE ka afat 20 ditor që të vendosë.

Siç kanë shpjeguar për Albanian Post nga zyra e rregullatorit, nëse pranohet propozimi i KESCO-s atëherë ndodhë rritje, nëse jo, ZRrE korrigjon çfarë ka për t’u korrigjuar në kërkesë dhe më pas e aprovon.

Fillimisht ZRrE shikon nëse plotësohet kushti për situatë të jashtëzakonshme, që është blerje e vetë KESCO-s mbi pesë për qind.

“Përafërsisht i shikojmë kostot a janë vlerat e sakta, pasi shtojca thotë: nëse është ngjarje e jashtëzakonshme. Ne e shohim a plotësohet ai kusht edhe vendosim”, është thënë për AP.

“Në momentin që blen, pra importon energji elektrike, po sa ta kalojë pesë për qind të importit, që i bie diku mbi 30 milionë euro, ka të drejtë ta hapë shqyrtimin për t’i kthyer ato para”.

Pra, në momentin që KESCO fut para në sistem mbi atë përqindje, atëherë me ligj ka të drejtë ta rris tarifën.

ZRrE

Por, tarifat mund të mos rriten për qytetarët të paktën edhe për disa muaj, kjo pasi Qeveria ka një rol në gjithë këtë mes.

Arsyeje e rritjes, siç shpjegojnë nga ZRrE për Albanian Post, është edhe fakti se Qeveria e Kosovës akoma nuk ka dhënë pjesën e saj të subvencioneve që është 32 milionë euro.

Pjesa tjetër është pastaj blerje/import nga KESCO-i.

Nëse Qeveria shlyen obligimin në raport me KESCO-n, në formë të subvencionit, atëherë KESCO përmes këtyre parave kompensohet për importin e energjisë dhe shtyhet vendimi për rritje prej 70 për qind të tarifave.

“Mund të shtyhet vendimi deri në tre muaj”, është thënë në një sqarim për Albanian Post.

Qeveria e Kosoves

Qeveria ende nuk ka njoftuar se kur do ta dorëzojë subvencionin në formën e 32 milionë eurove, por pritet që kjo të ndodhë brenda këtij afati 20 ditore, derisa ZRrE-ja shqyrton kërkesën.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës tashmë veç kanë filluar kundërshtitë për këtë kërkesë nga furnizuesi privat. Është kërkuar edhe që të niset një kampanjë kundër rritjes së çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore