Lajme

Kërkohet nga KPM-ja të identifikojë kanalet serbe që shpërndajnë propagandë ruse


Tryeza e organizuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal.

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica Xhelili ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur për Media të identifikohen kanalet televizive serbe që janë licencuar nga operatori mobil serb “MTS” në Mitrovicë.

Në tryezën e organizuar nga ky komision, ajo u shpreh se kjo duhet të bëhet për arsyeje që sipas saj ato shpërndajnë lajme të rreme lidhur me luftën në Ukrainë.

“Në qoftë se nuk jemi në gjendje ta ndalim piraterinë, nuk do të mund të jemi në gjendje t’i ndalim as lajmet propaganduese, as lajmet e rreme, e aq më pak ato që infiltrohen nga Federata Ruse”.

“Ne e dimë që për shkak të marrëveshjeve të caktuara sot në Kosovë e kemi të licencuar MTS-në, e cila vepron kryesisht në Mitrovicë dhe në qoftë se analizojmë kanalet që i ka kjo platformë, vërejmë që kanalet janë kryesisht ato të Serbisë”, ka thënë Kica Xhelili.

Ndërsa, ka shtuar se politika momentale ka për qëllim shpërndarjen e lajmeve të rrejshme.

“Shumica e kanaleve serbe për momentin shfaqin lajme propaganduese dhe ‘fake news’ në Kosovë lidhur me situatën në Ukrainë. Prandaj, përveç bllokimeve të kanaleve që vijnë nga Federata Ruse, të identifikoni kanalet në kuadër të ‘MTS’ të cilat propagandojnë në këtë drejtim”.

“MTS” në Mitrovicë.

Ndërsa, kryetari i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Xhevat Latifi, bëri të ditur numrin e operatorëve ilegalë që janë identifikuar në Kosovë gjatë vitit 2021.

“KPM gjatë vitit 2021 ka identifikuar operatorë ilegalë shpërndarës në Kosovë, 13 operatorë. Sfidë mbetet pirateria online përmes IPTV adresave dhe me keqardhje mund të themi se KPM identifikimin e kësaj dukurie nuk mund ta bëjë e vetme si KPM”.

Në këtë takim morri pjesë edhe zëdhënësi i ekzekutivit të Kosovës, Përparim Kryeziu që theksoi se dezinformimi këto ditë ka qenë faktor mjaft shqetësues.

“Për një kohë të gjatë ne jemi ballafaquar me ato që i quajmë lajme të rrejshme, e që shumë shpesh e kanë ka pasur karakterin e zhvillimeve të brendshme politike, por duket se tashmë nuk është koha që t’i trajtojmë vetëm si të tilla. Kështu që ta kemi parasysh që dezinformimi po përdoret edhe si formë e ndërhyrjes së jashtme në vendin tonë”, u shpreh Kryeziu.

Ai pohoi se kjo po shihet edhe si kërcënim mbi demokracinë dhe sigurinë edhe nga Bashkimi Evropian.

“Kjo temë ndonëse po zhvillohet së fundmi tek ne, tash e një kohë është temë kryesore në Bashkimin Evropian dhe në shoqëritë perëndimore të cilat po ballafaqohen me dezinformimin si ndërhyrje e jashtme, duke e konsideruar atë si kërcenim të demokracisë, por edhe të sigurisë së tyre të brendshme”.

Më 26 shkurt, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) i Kosovës ka vendosur që të largoj përkohësisht nga transmetimi të gjitha kanalet televizive me origjinë nga Federata Ruse.

KPM përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur një gjë të tillë.

“Me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë vendim të Urdhërojë të gjithë operatorët e shpërndarjes që përkohësisht t’i largojnë nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse”.

Sipas KPM-së  ky vendim vije “me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore