Lajme

Kërkohet nga anëtarët e KQZ-së dëshmia e vaksinimit kundër COVID-19


Mbledhja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e të enjtes ka bërë të ditur se pa dëshmi të vaksinimit apo të testit PCR se janë negativ me COVID-19, asnjë anëtarë i KQZ-së nuk mund të punojë në ditën e zgjedhjeve.

Kështu bëri të ditur gjatë kësaj mbledhje, shefi i sekretariatit, Burim Ahmetaj.

“Një proces të rëndësishëm që jemi duke i kushtuar rëndësi është procesi i identifikimit të gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje sa i përket vaksinimit të trupave zgjedhor”, tha ai.

Ahmetaj shtoi se, “në raportin e datës 7 shtatorit më shumë se 70% e gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje janë të vaksinuar me dozën e parë, e me dozën e dytë kemi diku rreth 36% të vaksinuar, ndërsa të pa vaksinuar kemi 27% të stafit të angazhuar në zgjedhje, që nënkupton se janë edhe një pjesë e stafit permanent që punojnë në KQZ”.

Po ashtu, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar partitë politikë që personat që do të punojnë gjatë dhe pas zgjedhjeve të jenë të vaksinuar.

Edhe Ilir Gashi nga PDK, kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që deri në ditën e zgjedhjeve të kryhet vaksinimi i të gjithë trupave zgjedhore.

“Pas datës 13 shtator nuk mund të ketë askush qasje në institucionet publike e private pa qenë i vaksinuar. Ne kemi lista të gjithë vëzhguesve dhe komisionerëve ku mund të komunikojmë me ministrinë e Shëndetësisë që t’u jep përparësi të gjithë trupave zgjedhore të vaksinohen para zgjedhjeve”, tha Gashi.

Me një gjë të tillë u pajtuan edhe anëtarët e tjerë të KQZ-së nga partitë tjera politike.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë ngritur çështjen e auditimit të brendshëm në këtë institucion, duke thënë se kishte shkelje të shumta dhe vjedhje.

Ata kërkuan të dinë se pse ende nuk janë dërguar ato shkelje në prokurori, derisa kanë paralajmëruar se ato shkelje do t’i dërgojnë vetë.

Këtë çështje e ka ngritur në mbledhjen e sotme, Alim Rama nga VV-ja.

Pas kësaj kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se “derisa nuk e kanë procesverbalin e Komitetit të Auditimit nuk mund të veprojnë apo t’i dërgojnë ato në prokurori. Duhet të respektohet procedura dhe pa i parë të gjeturat nuk mund të japin vlerësim”.

Anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se të gjeturat e auditimit të brendshëm kanë konstatuar shkelje të shumta e madje edhe vjedhje dhe se do t’i dërgojë në prokurori nëse këtë nuk e bënë kryesuesi i KQZ-së.

Po ashtu, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë një periudhë prej 30 ditësh për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Afati i fushatave zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor, mirëpo shkaku i pandemisë COVID-19 ende nuk dihet se si do të zhvillohen këto fushata zgjedhore nga partitë politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore