Shqipëria

Dorëzimi i rezolutës kundër raportit të Dick Marty-it në KiE, Krasniqi: Ftoj institucionet e Kosovës për lobim  


Ilustrim

Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

E për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ky është hapi i parë në rrugën e Kosovës drejtë konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.

Më tej Krasniqi duke e përgëzuar Shqipërinë për iniciativën në fjalë, ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve ndërkombëtare veçanërisht në Këshillin e Evropës.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj shteti shqiptar. Institucionet e Kosovës duhet të trokasin në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Krasniqit Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë.

“Lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni. Mirënjohës dhe tejet falënderues ndaj Kryeministrit Rama për angazhimin e tij konkret në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe të drejtën tonë”, ka shtuar ai.

Shqipëria e angazhuar

Më 22 qershor 2022, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili bëri me dije se Tirana do t’i drejtohej Këshillit të Evropës në Strasbourg, lidhur me pabazueshmërinë e raportit të Dick Martyt.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasbourg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t”, zbuloi fillimisht Rama asokohe.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut është një institucion brenda Këshillit të Evropës.

Rama bëri me faj influencën ruse mbi “përrallën e një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve”.

“Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Marty-n dhe raportin e tij, ishte shkaku pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale”, shtoi kryeministri.

Sipas tij, për këtë dikush duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë, pasi ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuza të Dick Marty-t.

Rezoluta kaloi në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar mazhorancën dhe opozitën në qëndrime.

Duke shqyrtuar raportin, në vijim të rrjedhës logjike, në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Shqipëria i kërkon zyrtarisht Këshillit të Evropës rishikimin e rezolutës për Kosovën

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore