Gjykata Speciale

Kërkesa e dëshmitarit Kurtaj ndaj prokurorit: Largojeni fjalën ‘rrenë’, përfundojeni seancën s’jam i interesuar për pasojat


Hajrush Kurtaj dhe prokurori James Pace.

Disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj, janë pranuar si prova materiale në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilat më pas është diskutuar për to nga prokurori James Pace.

Pace, duke iu referuar disa pjesëve të librit e ka pyetur dëshmitarin, “në faqën 3669, ju thoni që pas përgatitjeve të nëntorit të 98-ës siç ishin bazuar në planin operativ të shtabit të përgjithshëm komanda e zonës së Rodimës vendosi të formoj dy brigada. Për cilin plan të shtabit operativ e keni fjalën këtu?”.

Por, më pas nga dëshmitari është thënë se s’ka ndonjë informacion lidhur me këtë pyetje.

“Nuk e kam të bazuar sepse asnjë plan dhe as një urdhër nga shtabi i përgjithshëm nuk kam parë dhe as që e kam biseduar me komandantin e brigadës së përgjithshme”, ka thënë ai.

Tutje, prokurori Pace e ka akuzuar dëshmitarin Kurtaj për gënjeshtër nën betimin e gjykatësve.

“Ju tani po i thoni nën betimin e gjykatësve që informatat që keni dhënë që unë sapo jua lexova juve nuk kanë qenë të vërteta, kanë qenë të rrejshme?”, ka pyetur dëshmitari.

Kurtaj, më pas ka kërkuar ndërprerjen e seancës pa marrë parasysh pasojat që mund të vinë.

“Disa herë e përmende fjalën ‘rrenë’, nuk dëshiroj ta dëgjojë nëse vazhdoni kështu me këtë komunikim unë e ndërpres seancën, pa marrë parasysh pasojat sepse nuk e kam fare probleme për pasojat. Fjalën rrenë largojeni nga fjalori”.

Ai gjatë pyetjeve të prokurorit James Pace, ka thënë se, “nuk ka pasur ndonjë plan të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, prokurori tutje e ka pyetur atë se, “ju ishit pjesë e brigadës 162 si zëvendëskomandant ose komandant në detyrë i kësaj komande kur është bërë ndryshimi, ty të është dukur se pati ndonjë ndryshim për ty vetë?”. 

Kurtaj, tutje ia shprehu gatishmërinë DhSK-ës që të përgjigjet në çdo pyetje që ka të bëjë me luftën.

Pjesë nga intervistimi i dëshmitarit të Hajrush Kurtaj:

James Pace: A ka qenë kjo ndonjëherë në UÇK që nën zonat e bënë zona?

Dëshmtari: Nuk më kujtohet saktë.

James Pace: Po, nën zona e Rodimës, u bë ndonjëherë zonë operativë e Rodimës dhe kur ka ndodhur ky ndryshim?

Dëshmitari: Kur ka ndodhur saktë nuk e di, por që ka pasur zonën e përgjegjësisë së njëjtë po.

James Pace: Ju keni qenë pjesë e brigadës 162 si zëvendëskomandant ose komandant në detyrë i kësaj brigade. Kur u bë ndryshimi në zonë nga nën zonë ty të dukur që kishte ndonjë ndryshim për ty vetë?

Dëshmitari: Kjo ka qenë përgjegjësi e komandantit të brigadës, unë kam pasur përgjegjësi të tjera.

James Pace: Por, ju ishit pjesë e brigadës 162 si zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë, ishit por punonit si pjesë e një brigade apo jo?

Dëshmitari: Isha zëvendëskomandant për operacione luftarake në vijën e frontit, detyra ime ishte që t’i përgatis ushtarët në vijën e frontit të luftës. Sa i përket luftimeve, vijës së frontit të luftës jam i gatshëm çdo pyetje që ma bëni të përgjigjem.

James Pace: Fjalia tjetër ishte kjo, “pas përgatitjeve të bëra në muajin nëntor të 98-ës, e në bazë të planit të shtabit të përgjithshëm komanda e zonës së Rodimës merr vendim që të formohen dy brigada. A mund të ju thoni gjykatësve a është e vërtetë kjo apo jo?

“Sërish po e përsëris”, thotë dëshmitari të cilit më pas ia ndërprenë fjalinë gjykatësi.

Gjykatësi: Pyetja është e saktë apo e pasaktë kjo që u lexua na shpjeguat disa herë këtë.

Dëshmitari: Atëherë po ma cenoni të drejtën dhe ta them atë që e di sa i përket kësaj nuk është e saktë sipas meje.

Gjykatësi: Unë po ju them t’i përgjigjem pyetjes së prokurorit.

Në seancën e Speciales është duke vazhduar dëshminë Hajrush Kurtaj – i cili është dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore