Lajme

“Kërcënimi ndaj Kurtit” – Klinaku intervistohet nga Prokuroria


Faton Klinaku

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku është intervistuar të mërkurën nga Prokuroria e Shtetit, për deklaratën që bëri një ditë më parë, ku tha se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurtin, sesa ta lëshonte Kosovën gjersa prezantonte një bisedë me një votues të dëshpëruar të Kurit, i cili kishte shprehur dëshirë për të ikur nga Kosova, në rrjetin e tij social në Facebook.

Pas intervistimit në një prononcim për media Klinaku tha se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti.

“Sapo dola nga stacioni policor. Me urdhër të prokurorit u intervistova lidhur me deklaratën. Siç e thashë edhe në polici, ajo deklaratë është nxjerrë prej konteksti. Kaq mund të them për media. E sa i përket kërkesave për dorëheqjen time nga drejtimi i OVL UÇK-së, hiç në plan nuk e kam. Nuk më kanë zgjedhur ata që po kërkojnë dorëheqjen time, por anëtarët e organizatës së veteranëve”, bëri të ditur ai.

Ndryshe si kërcënim të hapur për kryeministrin Kurti e ka konsideruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaratën e Klinakut.

Klinaku në një postim në llogarinë e tij në Facebook tha se “më parë e vret Albin Kurtin sesa e lëshon Kosovën”.

Për Konjufcën kjo është një shprehje “shumë e papranueshme”, aq më tepër, theksoi ai, “që vjen nga një personalitet i cili përfaqëson një shoqatë kaq të respektuar”.

Albin Kurti, pohoi kreu i kuvendit, “është kryeministër i Kosovës, ai është zgjedhur nga populli i Kosovës, atë e kanë zgjedhur të zgjedhurit e popullit, është zgjedhur nga parlamenti; e ka legjitimitetin e plotë si kryeministër i Kosovës”.

“Kështu që të dalësh me deklarata të tilla ndaj një qeverie e cila e ka legjitimitetin e plotë nga ana e popullit, sepse populli ka menduar se kjo është zgjidhja më e mirë, është e papranueshme në një shtet i cili i thotë vetit vend demokratik”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore