Lajme

Kërcënimi i Rusisë frenon investitorët e bonove nga Baltiku dhe Finlanda


©: AP

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar shqetësime në tregjet e bonove në Baltik dhe Finlandë, duke penguar investimet ndërkombëtare në rajon, pasi menaxherët e fondeve kërkojnë të shmangin rreziqet gjeopolitike.

Sipas shefit ekzekutiv të Bankës Nordike të Investimeve (NIB), André Küüsvek, investitorët e borxhit po largohen nga Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia, ndërsa po shfaqin një preferencë për tregje të tjera larg kufirit rus. Kjo bankë mbështetet nga qeveritë në rajon.

“Fondet më të mëdha të obligacioneve – sa më shumë fonde globale – thonë se është shumë e vështirë për ta të vlerësojnë se sa i madh është rreziku”, tha Küüsvek. “Është më e lehtë të marrësh një qëndrim ‘prit dhe shiko’”.

Küüsvek thotë se oreksi për financimin e NIB-së filloi të rritej para luftës në Ukrainë si përgjigje ndaj inflacionit më të lartë dhe rritjes së normës nga bankat qendrore dhe është rritur në vitin 2022.

NIB-ja pranoi 1.2 miliardë euro në kredi në tremujorin e parë të viti 2022, pothuajse pesë herë më shumë se shuma në të njëjtën periudhë të 2021-it, dhe një rritje prej më shumë se 25 për qind në tremujorin e mëparshëm, me pjesën më të madhe të financimit të saj të synuar për kompanitë.

“Është një kombinim i inflacionit të lartë dhe rritjes së normave dhe pasigurive gjeopolitike që kanë ndikuar më së shumti çështjet e reja të obligacioneve në Baltik dhe Finlandë”, shtoi Küüsvek.

©: Financial Times

Hendeku në yield-et midis obligacioneve qeveritare të rajonit dhe borxhit të emetuar nga kompanitë është zgjeruar kohët e fundit, duke reflektuar një ndjenjë më të madhe nervozizmi.

Në tregjet e borxhit të qeverisë, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të Finlandës është rritur me rreth 0.8 pikë përqindjeje që nga 24 shkurti në 1.4 për qind, sipas të dhënave të Tradeweb.

Diferenca, ose rrezikshmëria e obligacionit në raport me obligacionin gjerman 10-vjeçar të standardit evropian, është zgjeruar nga 0.36 pikë përqindje në 0.46 pikë përqindjeje gjatë së njëjtës periudhë.

Nicolas Forest, kreu global i të ardhurave fikse në menaxherin e aseteve Candriam, tha se ai kishte ulur vendet dhe kishte deinvestuar, duke u kthyer në vende të tjera në Evropën Jugore, ku rendimentet janë të ngjashme, por rreziqet gjeopolitike janë më të ulëta.

“Nëse shikoj Letoninë dhe Lituaninë në krahasim me Spanjën, a ka kuptim të investohet në një vend shumë të vogël, të varur nga nafta ruse, kur ekziston një alternativë me një nivel të ngjashëm rendimenti në një vend më të madh?”, tha Forest.

Shqetësimet për investitorët e obligacioneve shtrihen në vende të tjera në Evropën Lindore, sipas Tatjana Greil Castro, bashkëdrejtuese e tregjeve publike në Muzinich, një firmë investimi e specializuar në kredi.

Greil Castro shtoi se pamja e vështirë më e gjerë për investitorët e obligacioneve, me kthimet që arrijnë në nivelet më të ulëta 20-vjeçare në tregjet evropiane të kredisë së korporatave dhe rritja afatgjatë e tregut të obligacioneve qeveritare që po përfundon, kanë kontribuar gjithashtu në ndjenjën negative midis tregtarëve.

Nga ana tjetër një menaxher fondesh në kompani austriake të aseteve “Erste AM”, Anton Hauser, tha se likuiditeti i ulët në obligacionet e shtetit baltik ka të ngjarë të goditet më tej nga planet e Bankës Qendrore Evropiane për të hequr gradualisht blerjen e bonove në muajt në vijim. Kjo kompani menaxhon 76 miliardë dollarë dhe fokusohet në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Edhe pse ai tha se disa investitorë kishin shitur bono të shtetit baltik për shkak të shqetësimeve gjeopolitike, “shumica e obligacioneve janë në portofolet e vendasve që e njohin mirë situatë”.

Ai thekson se sfida është ajo e perceptimit nga investitorët ndërkombëtarë dhe jo realiteti.

“Sidoqoftë, siguria është në të vërtetë më e mirë se sa ishte në janar, sepse realiteti ka filluar dhe gatishmëria dhe ndërgjegjësimi janë shumë më të mëdha”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore