Lajme

Keqpërdori kartelat bankare dhe dyshohet se fitoi mijëra euro, arrestohet prishtinasi


Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizua, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka arrestuar një person të dyshuar, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”  sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

“Personi i dyshuar tani më i arrestuar dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, kishte vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas organeve të rendit, i dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkëtares për të bërë pagesë.

“Në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkëtarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme”.

Po ashtu në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.

Ndërkaq me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore