Lajme

Kenya do të nisë programin më të madh të vakteve në shkollat afrikane


Programi më i madh i vakteve në shkollë në Afrikë do të fillojë në Nairobi këtë gusht, në një përpjekje për të “eliminuar turpin e urisë në Kenya”.

Dhjetë kuzhina të reja, në ndërtim e sipër, do të ofrojnë 400 mijeë dreka ditore për fëmijët në 225 shkolla fillore dhe qendra të zhvillimit të fëmijërisë së hershme në kryeqytetin kenian.

Programi do të nisë më 28 gusht, ditën e parë të sezonit të vjeshtës dhe kuzhinat do të punësojnë 3 mijë e 500 persona.

Nisma prej 8.6 milionë dollarësh është një bashkëpunim me Food4Education, një organizatë jofitimprurëse keniane që tashmë furnizon ushqime për 150 mijë nxënës të shkollave fillore në qytet.

Sipas Save The Children, 26 për qind e fëmijëve në Kenya jetojnë me rritje të ngadaltë për shkak të kequshqyerjes.

“Ne duhet të eliminojmë turpin e urisë në vendin tonë. Ne do të jemi të qëllimshëm dhe të fokusuar në sigurimin e zbatimit të suksesshëm të programit të të ushqyerit në shkollë”, ka thënë presidenti William Ruto.

“Mungesa më e madhe e dinjitetit është që fëmijët tanë të shkojnë në shkollë dhe të agjërojnë për shkak të mungesës së ushqimit”, ka theksuar ai.

Sipas tij, qeveria ka ndarë 36 milionë dollarë për të zgjeruar programin ekzistues kombëtar të të ushqyerit nga 1.6 milionë fëmijë në 4 milionë.

Por ai ka premtuar të rrisë shpërndarjen nëse më shumë qarqe sigurojnë financim.

“Ne do të përputhemi me qarqet që kanë një plan për programin e ushqimit të shkollave, dhe nëse e bëjmë këtë, në fakt mund të ushqejmë 8 milionë fëmijë në shkollat tona”, ka shtuar ai.

Suzanne Silantoi, drejtuesja e qarkut të qytetit të Nairobit, ka treguar se takimet me mësuesit dhe prindërit gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar zbuluan se shumica e nxënësve të shkollës në qytet shkojnë pa drekë, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të mësuar.

Uria e fëmijëve përbën gjithashtu një pengesë të konsiderueshme për regjistrimin dhe frekuentimin e shkollës në vend.

“Ne e njohim lidhjen kritike midis të ushqyerit dhe të mësuarit, dhe kjo është arsyeja pse qarku ka institucionalizuar programin e të ushqyerit në shkolla. Presim përmirësim të frekuentimit dhe performancës në shkollat publike”, ka thënë Silantoi.

Food4Education filloi në vitin 2012 nga nutricionisti kenian Wawira Njiru nga një kuzhinë e improvizuar që punësonte një kuzhinier dhe prodhonte drekë për 25 fëmijë në shkollën fillore Ruiru.

“Qëllimi në fillim ishte të ushqenim 100 fëmijë. Teksa numrat u rritën me kalimin e viteve, u bëra më ambicioz me synimin për të ushqyer 1 milion fëmijë. Por nuk e dija se si do të ndodhte”, ka thënë ajo.

Njiru ka rrëfyer se ishte frymëzuar për të ofruar dreka të lira dhe ushqyese për nxënësit e shkollave nga familjet e varfra rurale dhe vendbanimet informale, pasi ishte dëshmitare e varfërisë dhe pabarazisë mes shokëve të saj të klasës kur ajo po rritej në qytetin Ruiru në periferi të Nairobit.

“Shkova në Australi për diplomën time universitare dhe ndërsa atje mblodha fonde, i përdora për të ndërtuar kuzhinën e parë dhe për të blerë ushqimin që nisi programin”, ka thënë Njiru.

Me këtë partneritet të ri, sipas saj, numri i fëmijëve të shërbyer në ditë do të rritet në 400 mijë.

Dhe se me krijimin e partneriteteve shtesë, ajo parashikon të arrihen 500 mijë fëmijë, ndoshta deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Këto zhvillime na sjellin dukshëm më afër arritjes së objektivit të një milion fëmijëve në ditë”, ka shtuar ajo.

Sakaq, programi përveç përmirësimit të shëndetit të fëmijëve, ka përmirësuar edhe normat e regjistrimit.

Kuzhinat do të vihen në punë nga energjia e gjelbër duke përdorur teknologjinë e gazit me avull.

Teknologjia ka luajtur gjithashtu një rol jetik në rritjen e Food4Education: çdo fëmije i jepet një rrip dore i quajtur Tap2Eat, i cili është i lidhur me një portofol virtual që prindërit e përdorin për të parapaguar 0,11 dollarë për çdo vakt.

Qeveria e qarkut do të përdorë gjithashtu teknologjinë për të subvencionuar koston e çdo vakti.

Partneriteti midis Food4Education dhe qeverisë së qarkut të Nairobit do të krijojë gjithashtu mundësi punësimi dhe një treg për fermerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore