Muzikë

Kendrick Lamar rikthehet me “Mr. Morale & the Big Steppers”


Pritja pesëvjeçare për një album të ri nga Kendrick Lamar – reperi i cilësuar nga Pulitzer si “zëri i një gjenerate” – më në fund ka përfunduar.

“Mr. Morale & the Big Steppers”, albumi LP i pestë i studios së Lamar-it dhe një nga albumet më të pritura në vite, u publikua brenda natës në shërbimet digjitale, me shpresa të mëdha nga fansat dhe pyetje të mëdha në lidhje me hapat e tij të ardhshëm në karrierë.

Lamar, 34 vjeç, është një nga figurat e pakta kryesore në skenën muzikore bashkëkohore – ku një rrjedhë e rregullt e përmbajtjeve të reja shihet si një domosdoshmëri – që mund t’i mbajë fansat të presin për një periudhë kaq të gjatë pa sakrifikuar besnikërinë e tyre apo prestigjin kritik.

Edhe pas mungesës së zgjatur të Lamar, “R.Morale & the Big Steppers” pritet të bëjë një paraqitje të shkëlqyer gjatë javës së parë në renditjen e albumeve të Billboard.

Kopertina e albumit “Mr. Morale & the Big Steppers”

Lamar u çimentua si një nga reperët më ambicioz të brezit të mijëvjeçarit me debutimin e albumit të tij “good kid, m.A.A.d. city” (2012).

Albumi i tij i vitit 2017, “DAMN.”, fitoi pesë çmime Grammy, në total reperi numëron 14 çmime të tilla. Lamar, i cili u rrit në Compton, Kaliforni, dhe e ka bërë kulturën dhe vështirësitë e asaj zone një pjesë qendrore të muzikës së tij, u bë gjithashtu reperi i parë që mori çmimin Pulitzer për muzikë.

“DAMN” u citua në 2018 si “një koleksion këngësh virtuoze i bashkuar nga origjinaliteti i tij popullor dhe dinamizmi ritmik që ofron vinjeta prekëse që kapin kompleksitetin e jetës moderne afrikano-amerikane”.

Gjithashtu në vitin 2018, Lamar dhe kreu i kompanisë së tij diskografike, Anthony Tiffith (i njohur si Top Dawg), ishin producentët ekzekutiv të një albumi shoqërues të filmit “Black Panther”.

Që nga ai vit Lamar ka mbajtur një profil të ulët publik, duke bërë disa paraqitje si i ftuar në këngët e artistëve të tjerë dhe, vitin e kaluar, iu bashkua reperit të Las Vegas-it  (dhe njëkohësisht kushëriri i tij) Baby Keem për dy këngë në albumin e Keem “The Melodic Blu”.

Performuesit e Super Bowl LVI – nga e majta – Eminem, Kendrick Lamar, Dr. Dre, Mary J. Blige, 50 Cent dhe Snoop Dogg

Në shkurt, Lamar doli në skenë në shfaqjen e pjesës së parë të Super Bowl LVI së bashku me Dr. Dre, Snoop Dogg, 50 Cent, Eminem dhe Mary J. Blige.

Të dielën e kaluar, reperi publikoi një videoklip të ri, “The Heart Part 5”, si një përgatitje për albumin “Mr. Morale & the Big Steppers”.

Të mërkurën, Lamar publikoi kopertinën e albumit, fotografuar nga Renell Medrano. Aty shfaqet Lamar, me një kurorë me gjemba në kokë, duke mbajtur një fëmijë, ndërsa një grua në shtrat i jep gji një foshnjeje, si një pikturë alegorike fetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore