Lajme

Këmbimi i pronave, gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit


Komuna e Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronave të paluajtshme komunale ku dyshohet se është bërë mes ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe biznesmenit Rrahman Haradini.

Përmes një komunikate për media është thënë se Gjykata ka gjetur kushte të mjaftueshme për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

“Gjykata gjeti se me propozimin për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm”.

Nga ky institucion i drejtësisë është thënë se shtyrja nuk do të sjell ndonjë dëmtim për palët.

“Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Më 26 janar, Organizata joqeveritare INPO, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shfuqizoj vendimin për këmbimin e pronave të paluajtshme komunale që dyshohet se është bërë mes ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe biznesmenit Rrahman Haradini.

Të enjten, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) pezulloi vendimin e Komunës së Prishtinës për të kryer një këmbim ndërmjet pronës komunale dhe pronës private.

Në vendimin e MFPT të enjten mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinë lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit, thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tërhoqi ligjshmërinë e lëshuar dhe çështja është rikthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Procedura e vlerësimit, sipas MFPT-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja. Prokuroria e Shtetit ka nisur edhe një hetim parapenal për vendimin e komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badoc e që dyshohet të jetë në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.

Në anën tjetër, kryetari i kryeqytetit mohoi të ketë pasur shkelje ligjore në procesin e këmbimit midis pronave komunale dhe pronave private në një konferencë për shtyp të enjten, ndërsa raportimet e mediave mbi rastin i cilësoi tendencioze për qëllim të denigrimit të qeverisjes së kryeqytetit.

(KOHA raportoi për herë të parë për dhënien e rreth 7 hektarëve në “Prishtina e Re” një biznesmeni kosovar, në këmbim të rreth 10 hektarëve që ky i fundit i kishte në pronësi në Badoc, vendbanim afër Graçanicës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore