Lajme

KEDS dhe KESCO po importojnë mbi 1 milionë euro rrymë në ditë


Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), kanë njoftuar, se ma baza ditore po importojnë energji elektrike mbi 1 milionë euro, meqë Korporata Energjetike e Kosovës, sipas tyre, nuk po i përmbahet planit për prodhimin e energjisë elektrike gjatë kohës së dimrit.

Me rënien e temperaturave është rritur konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, por sipas KEDS e KESCO, ka ndodhur edhe reduktimi i prodhimit vendor të energjisë elektrike.

“Për ta mbuluar këtë boshllëk, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dy kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7 mijë e 500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë”, thuhet në reagimin e kompanive.

Kërkesa, sipas tyre, ka arritur në mbi 1 mijë e 100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë.

“Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët. Prodhimi aktual është më i ulët se bilanci elektroenergjetik që na ishte paraqitur. Lidhur me këtë, ne kemi reaguar, duke kërkuar nga prodhuesi më i madh vendor, KEK-u, që t’i përmbahet planit, sepse çdo devijim nga plani, në këtë rast mbi 120 megavat në orë minus, paraqet barrë të rëndë për dy kompanitë dhe e vë në vështirësi komplet sistemin elektroenergjetik”, thuhet tutje.

Sipas kompanive, problemi mund të bëhet më serioz nëse palët e interesuara të tregut vazhdojnë të dështojnë të përmbushin planet që kanë paraqitur më parë.

“KEDS dhe KESCO kërkojnë edhe nga konsumatorët që ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike dhe aty ku kanë mundësi të mos e përdorin për ngrohje. Përdorimi efiçient i saj nënkupton se do të mundë të kalojmë një dimër më të lehtë dhe më të përballueshëm”, thuhet në përfundim të reagimin të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore