Kosova

Kearns viziton familjen e Heroit Afrim Bunjaku


Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alica Kearns, ka vizituar familjen e rreshterit të vrarë më 24 shtator në Banjë të Zveçanit, Afrim Bunjaku.

”Jam nderuar nga familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë nga terroristët e 24 shtatorit. Me dashamirësi më ftuan në shtëpinë e tyre që të shpreh ngushëllimet e mia. Fjalët e mia nuk ua larguan kurrë dhimbjen, por Afrimi shpëtoi jetë atë ditë dhe unë doja të bëja nderimet e mia”, ka shkruar ajo në platformën X.

Ajo ka treguar edhe për takimet që kishte me krerët e shtetit të Kosovës dhe aktivistë të shoqërisë civile gjatë vizitës së saj treditore në Kosovë.

Kearns, është një nga zërat më mbështetës në arenën ndërkombëtare për Kosovën.

Para disa javëve kishte paralajmëruar se në Veri po futet armatim ilegal nga ana e Serbisë.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore