Kosova

Kearns: BE-ja s’ka ndërmarrë asgjë kundër Serbisë për Banjskën, ndërsa kërcënon Kosovën për hapjen e urës së Ibrit


Alicia Kearns

Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se është “tronditur” kur ka dëgjuar se Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës nëse hapet ura mbi lumin Ibër.

“E tronditur nga kërcënimi i BE-së ndaj Kosovës nëse rihapet ura e Ibrit. Kjo është rënë dakord në vitin 2015 – pse është e ndryshme nga marrëveshjet e tjera të mëparshme që BE-ja e detyron Kosovën që t’i zbatojë? Qeveria e re e Britanisë së Madhe dhe ekipi i ri i BE-së duhet të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen”.

Ajo ka shtuar se BE-ja akoma nuk ka ndërmarrë asgjë kundër Serbisë për sulmin e armatosur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, pavarësisht provave që, sipas saj, dyshmojnë përfshirjen e shtetit serb. Kearns ka përmendur kryebanditin serb, Millan Radoiçiç, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Dënimi i Kosovës për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, sugjeron se vetë procesi [i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve] është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë urgjene për reformë”, ka shtuar mes tjerash Kearns.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore