Shqipëria

KE pezulloi fondet për bujqësinë në Shqipëri, Ministria: Puna s’është ndërprerë, programi vazhdon


Pasi Komisioni Evropian zyrtarizoi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II”, një reagim ka ardhur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kjo e fundit bën me dije se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, por puna dhe programi vazhdon.

“Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Këto janë procedura normale të Bashkimit Evropian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”, thonë autoritetet.

Gjithashtu theksojnë se të gjithë strukturat shqiptare “janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë”.

“Si çdo mekanizem financiar, programi shqyrton, kontrollon dhe zbaton projekte në perputhje me rregulla të mirëpërcaktuara e të miratuara nga Bashkimi Europian të cilat kontrollohen dhe auditohen vazhdimisht nga struktura të brendshme e të jashtme. Nëse vërehen shkelje, programi përcakton strukturat operuese që marrin masa dhe veprohet në përputhje me procedurat ligjore të parashikuara ashtu sikurse veprohet në çdo strukturë të ngjashme në vendet e Bashkimit Evropian”.

Lajmin për ndërprerje të përkohshme e konfirmoi për “Albanian Post” një zëdhënëse e Komisionit.

“Në këtë fazë, Komisioni Evropian ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin paraprak të dhënë nga OLAF. Në veçanti, si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, theksoi reagimi i KE-së.

Institucioni evropian ka vendosur të mos komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) lidhur me zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri.

“Hetimi i OLAF është në vazhdim”, shtoi zëdhënësja. “Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare në përputhje me rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

Çfarë është IPARD II?

IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit.

Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II.

IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

Reagimet

Pas këtyre zhvillimeve, reaguan edhe aktorë të ndryshëm opozitarë.

Ish-kryeministri Sali Berisha mendon se këto fonde janë pezulluar për shkak të vjedhjes.

“Sot njoftohet se Komisioni Evropian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare”, u shpreh ish-kryedemokrati.

Berisha i bëri thirrje Komisionit Evropian që “në interesin më të mirë të shqiptarëve por edhe të taksapaguesve evropianë”, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri.

“KE-ja ka financime të mëdha. Bypass-i i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, theksoi ish-kryeministri i vendit.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi e quajti këtë vendim të përkohshëm të Komisionit Evropian si “një drejtësi të vonuar”.

“Drejtësia vonon por nuk harron! Kur ka opozitë të pa blerë dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, ka gjithmonë shpresë për shqiptarët. Vendimi i BE-së për fondet e bujqësisë ishte i ditur, i denoncuar prej meje qysh në maj 2022. Kush ka ngjyer gishtin me incenerarorët do të marri edhe reston. Bye…”, theksoi Kryemadhi.

KE-ja konfirmon ndërprerjen “e përkohshme” të fondeve bujqësore për Shqipërinë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore