
Komisioni Evropian tha të mërkurën se pret që produkti i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë të zgjerohet me 3.5% në vitin 2023, duke rishikuar në rritje projeksionin e tij prej 2.9% nga muaji maj.
Ngadalësimi nga rritja prej 4.8% në 2022 është kryesisht për shkak të uljes së konsumit privat, i ndikuar nga çmimet e larta të ushqimeve dhe zbutja e punësimit, së bashku me rritjen e dobësuar të investimeve mes shtrëngimit të kushteve të financimit, tha Komisioni në Parashikimin e tij Ekonomik të Vjeshtës 2023.
Komisioni gjithashtu uli projeksionin e tij të rritjes së PBB-së për vitin 2024 në 3.1%, nga 3.8% e përshkruar në projeksionin e tij të pranverës.
Komisioni parashikon që inflacioni i Shqipërisë për këtë vit të jetë 4.6%, i pandryshuar nga parashikimi pranveror. Ky stabilitet i atribuohet një ngadalësimi të inflacionit të çmimeve të ushqimeve dhe presioneve të brendshme që rrjedhin nga rritja e pagave publike.
Në vitin 2024, inflacioni pritet të kapërcejë objektivin e bankës qendrore prej 3%, duke treguar një nevojë të mundshme për politika të mëtejshme normalizimi.
Në progres-raportin e publikuar thuhej se Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar dhe të mirë përgatitjeje në fushën ekonomike dhe politikës monetare.
Në të theksohet se Banka e Shqipërisë ka reaguar në mënyrë efektive për të përballuar krizën e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
“Banka bëri përparim në rekomandimet e vitit të kaluar për t’u përmirësuar mekanizmi i koordinimit dhe konsultimit të politikave të qeverisë me palët e interesuara, megjithëse ende duhet të përmirësojë efektivitetin e palëve të interesuara sa ju përket konsultimeve”.
Gjithashtu bëhet me dije se numri më i ulët i amendamenteve të buxhetit përmirësoi besueshmërinë e procesit buxhetor.
Megjithatë, përafrimi i ligjit të Bankës së Shqipërisë me acquis të BE-së u shty.
Shqipëria me përgatitje të “moderuar ekonomike”, por për vitin e ardhshëm KE ka disa kërkesa
Ndërsa gjetjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të bëra dy javë më parë treguan se ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga performuesit më të fortë në rajon.
Kjo, falë një rikthimi të fortë në turizëm, ku rritja vitin e kaluar i tejkaloi pritshmëritë me afro 5 për qind.
Një kombinim i konsolidimit fiskal, të ardhurave më të larta dhe mbiçmimit të lekut e riktheu raportin e borxhit publik në nivelet para pandemisë, shton raporti.
Sipas misionit të FMN-së, politika monetare është e fokusuar me të drejtë në uljen e inflacionit, i cili ka ardhur në rënie gradualisht pasi ka arritur kulmin me një normë më të ulët se në vendet e tjera të rajonit.
Për ekspertët e FMN-së, perspektivat ekonomike të Shqipërisë pritet të mbeten të qëndrueshme.
PBB-ja reale parashikohet të zgjerohet me 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në vitin 2024.
Kjo, e udhëhequr nga konsumi privat elastik, me forcë të dukshme në aktivitetin e turizmit dhe të ndërtimit.
Agjencia kryesore financiare e Kombeve të Bashkuara parashikon se inflacioni lëviz rreth 4 për qind mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe pritet të rikthehet vetëm gradualisht në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind deri në fillim të vitit 2025.
Autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në vitet pas pandemisë, me përmirësime të dukshme në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Një përpjekje fiskale më e fortë se sa është parashikuar aktualisht duke filluar nga viti 2024 mbetet kritike pasi Shqipëria vazhdon të përballet me nevojat e larta të financimit bruto, mendon misioni i FMN-së.
Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme është e nevojshme për një konsolidim të besueshëm fiskal, sipas raportit.
Agjencia financiare sqaron se autoritetet shqiptare kanë ligjësuar disa nga reformat e politikës tatimore në përputhje me asistencën teknike të mëparshme të FMN-së.
Miratimi në kohë i masave që janë ende në përgatitje – përfshirë reformat e taksave mbi pronën dhe lojërat e fatit – është kritike.
Sipas misionit të FMN-së, mund të merren gjithashtu në konsideratë masat e paracaktuara për futjen e mëvonshme, të tilla si heqja e përjashtimeve të mëtejshme të TVSH-së dhe norma zero e tatimit për bizneset e vogla.
Presionet afatmesme dhe afatgjata të shpenzimeve kërkojnë përmirësime të efikasitetit. Rritjet e fundit të pagave publike dhe indeksimi ndaj inflacionit do të çojnë në një faturë më të lartë pagash për qeverinë, raporton FMN-ja.
Ata theksojnë ndër të tjera se integrimi i partneriteteve publike-private (PPP) në kuadrin e rregullt të investimeve publike dhe në procesin buxhetor është urgjentisht i nevojshëm dhe do të kërkojë ndryshime ligjore.
Kthimi i inflacionit në objektiv ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme në normën bazë.
Pas një rritjeje prej 250 pikësh bazë në 3 për qind, Banka e Shqipërisë (BSH) ndaloi në mënyrë të përshtatshme rritjen e normës së saj në muajin mars, në kushtet e rënies së inflacionit dhe mbiçmimit të fortë të lekut, sqaron FMN-ja përmes misionit të saj.
Për ekspertët financiarë, me presionet e brendshme të inflacionit në rritje mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe normave reale ende negative, ka vend për rritje të mëtejshme.
Misioni theksoi po ashtu se informaliteti, mangësitë në qeverisje dhe sundim të ligjit, dobësitë në tregun e punës, boshllëqet në infrastrukturë dhe presionet demografike kanë penguar shpërndarjen efikase të burimeve dhe kanë frenuar produktivitetin.
Në përmbyllje, agjencia financiare ravijëzoi se falë progresit të konsiderueshëm në adresimin e mangësive të LPP/LFT, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) njoftoi së fundmi se Shqipëria do të dilte nga lista e juridiksioneve të saj nën monitorim të shtuar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Basha takon Presidentin e Institutit Republikan Ndërkombëtar: Mbështesim SPAK në luftën antikorrupsion
-
Miratohet Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare
-
Manja ‘shmang’ akuzat për çështjen Beleri, amnistia mund të përfshijë 600 të dënuar
-
Kaosi në Kuvend, përjashtohen Sali Berisha dhe 5 deputetë të opozitës