Sport

Ke ndonjë “Skënderbe” me mua?!


Federata rumune ka titulluar sportin e mundjes së krahut me emrin “Skëndërbeu” ose “Skandenberg”.

Kjo e fundit konsiderohet si një nga sportet më të pastra. Në Rumani mendohet se e ka marrë “nofkën” nga legjendat apo gojëdhënat mbi forcën e Gjergj Kastriotit.

Nga qasja hegeliane, e vetmja gjë që mund të mësojmë prej historisë është se nuk mund të mësojmë asgjë në thelb.

Pra, nëse rumunët do merrnin për bazë faktet historike, mundja e krahut për ta do të quhej “Gjoni” dhe jo “Skënderbe”.

Kujtojmë episodin në të cilin, Gjoni, një fshatar fiton ndaj Gjergj Kastriotit në një dyluftim krahu.

Në tryezën e mundjes së krahut përballë kundërshtarit, e vetmja gjë që mund të të bëjë të humbasësh është forca jote.

Mundja e krahut është një sport i qëndrueshmërisë, teknikës dhe fuqisë, por në Rumani vuante nga mungesa e popullaritetit.

Këtë vit kampionati kombëtar rumun u mbajt në qershor.

Kampionati Kombëtar Skandenberg-Armwrestling u organizua nga dy shoqata që mbajnë po prapë emrin e heroit kombëtar të shqiptarëve.

Historiku

Evolucioni i sportit ishte i ngadaltë në Rumani. Bullgaria, Britania e Madhe apo edhe Rusia, kanë organizuar gara dhe shpërndarë çmime duke filluar nga vitet ’50-të.

Rumania e njohu mundjen e krahut si sport vetëm në vitin 2016.

Sistemi i eliminimit të dyfishtë do të thotë që edhe nëse humbisni një ndeshje, ju keni përsëri një mundësi për t’i fituar të tjerat.

Çdo konkurrent ka një pikë bonusi që shërben për të mos u skualifikuar nga gara.

Kampionati u organizua në sheshin Uniri të Radauti-t, në një skenë të mbuluar.

“Skënderbejsit”

“Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për organizatorët që transmetuan ngjarjen dhe i bënë njerëzit ta ndjekin nga shtëpitë e tyre. Besoj se kjo do të ndihmojë për garat e ardhshme në vend”, tha për mediat vendase Marian Sabou, një prej garuesve.

Një nga emrat më të shquar që mori pjesë ishte Andrei Chipreanov.

Ai është një atlet i performancës dhe ka praktikuar sportin “Skandenberg” për më shumë se një dekadë.

Rekordi i tij përfshin titujt e nën-kampionit të botës, kampionit evropian dhe kampionit të shumëfishtë kombëtar në “Skandenberg”.

Andrei Chipreanov
Rregullat

Konkurrentët duhet të jenë shtetas rumunë dhe për të marrë pjesë duhet të paraqesin një kartë identifikimi.

Garuesit gjithashtu duhet të jenë të regjistruar në një klub zyrtar armwrestling. Nëse nuk janë, atëherë mund të regjistrohen në Klubin e Shoqatës Brat de Fier ose në çdo klub të FRSKA-së.

Qytetarët rumunë që kanë përfaqësuar një vend tjetër në dy vitet e fundit ose duan të përfaqësojnë një vend tjetër në Kampionatin Evropian ose Botëror të këtij viti nuk mund të marrin pjesë në garë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore