Shqipëria

KE-ja i kërkon Shqipërisë të “trajtojë” parandalimin e korrupsionit në tre sektorë publikë


Komisioni Evropian i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të forcojë parandalimin e korrupsionit në tre sektorë publikë.

“Shqipëria duhet të trajtojë kompleksitetin e lartë të kuadrit të parandalimit të korrupsionit dhe të sigurojë efikasitetin e tij veçanërisht në sektorët e rrezikut si prona, prokurimi publik dhe financat publike”, shkruhet në përmbledhjen e gjetjeve të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Kujtojmë që pas Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë në korrik 2022, Komisioni nisi menjëherë procesin e shqyrtimit.

Shqyrtimi bazohet në metodologjinë e zgjeruar të zgjerimit, e cila u miratua në vitin 2020 dhe organizon kapitujt e negociatave në grupe tematike në mënyrë që të injektojë dinamizëm në procesin e negociatave dhe për të nxitur ndërthurjen e përpjekjeve përtej kapitujve individualë.

Këto grupe tematike bashkojnë kapitujt/fushat sipas temave më të gjera dhe do të lejojnë një fokus më të fortë në sektorët bazë.

Brenda çdo grupi individual, shqyrtimi kryhet nëpërmjet takimeve në bazë kapitulli pas kapitull.

Struktura e KE-së vëren se kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë për anti-korrupsionin është pjesërisht në përputhje me acquis-in e BE-së.

“Korrupsioni është i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit, duke përfshirë në të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe institucionet dhe mbetet një zonë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit kanë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht të cenueshëm”, shton Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Për sa i përket zbatimit, Shqipëria duhet të bëjë përparim vendimtar drejt trajtimit të mosndëshkimit dhe natyrës së përgjithësuar dhe të përhapur të korrupsionit, konsolidimit të kapaciteteve operacionale dhe njerëzore të gjykatave të SPAK-ut, shton KE-ja.

Shqipëria duhet të trajtojë gjithashtu në mënyrë sistematike dhe efektive rekomandimet e Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO), përmbyll raportin e saj KE-ja.

Çfarë ka ndryshuar për Shqipërinë nga konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në

Çfarë ka ndryshuar?

Më 17 korrik u shënua edhe hapja e suksesshme e kapitullit të pestë të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Kujtojm që, katër kapitujt e parë janë përmbyllur me sukses në procesin e njohur si “screening”, ku palët shpjegojnë situatën dhe ballafaqojnë përparimin e vendit kandidat.

Kapitulli i pestë mbulonte fushat si agrikultura, zhvillimi rural, siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare së bashku me peshkimin.

Dy ditët e para të takimeve mes palëve u përqendruan tek agrikultura, zhvillimi rural dhe peshkimi, duke u ndjekur më pas me sigurinë ushqimore dhe rezervat buxhetore.

Në këtë fazë të negociatave, kryesisht vendet kandidate njihen me legjislacionin evropian, përafrimin që duhet të kryejnë me të dhe njihen me obligimet që kanë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Në tërësi, gjashtë kapituj madhorë janë pjesë e procesit “screening” dhe siç ka bërë me dije më parë përfaqësuesi i lartë i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Shqipëria ka avancuar tepër në të gjitha fushat dhe mund t’i hapë konkretisht kapitujt e parë negociues brenda vitit.

Në mars, ai bërë me dije se se vendimi për hapjen e negociatave, që u mor korrikun e kaluar i ka dhënë një vrull dhe shtysë të re procesit të anëtarësimit.

“Tani është procesi i shqyrtimit, i cili përpiqet të identifikojë se cilat janë fushat specifike politike nga ku duhet të nisë puna. Është çështje ditësh apo javësh, shumë shpejt, kur ky proces shqyrtimi do të përfundojë dhe shtetet anëtare do të vendosin se nga cilët kapituj, ne i quajmë kapituj, apo fusha politike do të nisë negocimi”, ravijëzoi Borrell asokohe.

Nisja zyrtare e shqyrtimit të kapitujve për Shqipërinë ishte më 30 janar, kur patën fillesë edhe takimet dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij të BE-së. Kapitulli i parë i hapur më 30 janar, kishte të bënte pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave.

Besimi i shqiptarëve ndaj BE-së

Nivelet e besimit në Bashkimin Evropian janë rritur ndjeshëm në shumicën e vendeve kandidate që nga dimri 2022-2023.

Shqipëria kryeson me nivelin më të lartë të besimit, konkretisht me 77 për qind.

Pas saj renditet Bosnja dhe Hercegovina me 57 për qind, Mali i Zi me 54 për qind, Maqedonia e Veriut me 48, Moldavia me 44, Turqia me 41 dhe në fund është pozicionuar Serbia me nivelin më të ulët të besimit, vetëm 32 për qind.

Këto shifra u publikuan më herët nga vetë barometri i Bashkimit Evropian.

Shifra për Shqipërinë është dukshëm ndryshe nga ajo e vitit 2019, ku të paktën vetëm 51 për qind e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE-ja.

Por edhe asokohe shqiptarët ishin në nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Duket se hapja dhe nisja negociatave, apo edhe fryma pozitive e përcjellë nga liderët evropianë për vendin ka pasur një ndikim në besimin e shqiptarëve për unionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore