Lajme

KDI: Sfidë në Kuvend vazhdon të jetë planifikimi i punës dhe mungesa e deputetëve


Kuvendi i Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Kuvendi ka treguar një performancë pozitive gjatë këtij viti duke miratuar 111 projektligje kështu duke përmbushur 69 për qind të planifikimeve legjislative.

Por, sipas KDI-së, vazhdon të jetë sfida e njëjtë si në vitet paraprake që është planifikimi i punës dhe mungesat e deputetëve në seanca.

Hulumtuesi Arbër Thaçi, deklaroi se në përmbushjen e agjendës legjislative ka ndikuar fakti që shumica parlamentare nuk është e përberë nga koalicionet.

“Diku rreth 69% e planifikimeve legjislative janë përmbyllur, do të thotë nga rreth 151 projektligje të cilat zinin vend të planifikimit legjislativ janë miratuar 111 të tilla, në kuptim të numrave kjo paraqet një arritje të dalluar të parlamentit dhe njëkohësisht punës së tij”.

“Kjo mund të thuhet se është ndihmua mbase edhe nga fakti se kemi pasur të bëjmë me një shumicë parlamentare me solide dhe jo të përbërë nga koalicionet”, ka thënë ai të mërkurën.

Ai konsideron se tek ngecjet ka hyrë mungesa e një pune parlamentare më të organizuar dhe më sistematike.

“Në mesin e ngecjeve ose mangësive të cilat ka shfaqur Kuvendi gjatë vitit 2022 aty është edhe mungesa e deputetëve. Deputetët, në bazë të një përllogaritje të KDI-së kanë munguar mbi 1700 herë përgjatë vitit të plotë”.

Sipas KDI-së, mangësi është vlerësuar edhe debati parlamentar dhe trajtimi jo përmbajtësor i projektligjeve.

“Opozita ka tentuar nga njëherë t’i kontribuojë procesit politik në parlament nëpërmjet dhënies së propozimeve dhe dhënies së opinioneve të tyre mirëpo pushteti nuk ka pasur shumë gatishmëri t’i vlerësojë ato opinione ose kontribute të opozitës”.

Miratimi i rregullores së re të Kuvendit, jetësimi i procesit për krijimin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si dhe Projektligji për financimin e subjekteve politike, kanë qenë iniciativat më të dalluara gjatë këtij viti, sipas Thaçit.

KDI vlerëson se është bërë një administrim më i mirë i seancave të Kuvendit dhe meritat për këtë i kanë drejtuar të kryetari Glauk Konjufca i cili sipas tyre ka tentuar të nxisë bashkëpunim në mes të pozitës dhe opozitës.

Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës, ishte kritikuar për mungesën e seancave në Kuvendin e Kosovës.

Shumë Zgjedhje, pak Kuvend

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore