Lajme

KDI: Pagat e deputetëve për një muaj i kushtojnë buxhetit të Kosovës 185 mijë euro


Kuvendi i Kosovës.

Pas mungesës së shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës në seancën plenare të premten, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar duke thënë se pagat e 120 deputetëve për një muaj kushtojnë 185 mijë euro.

“Vetëm pagat bazë të 120 deputetëve të Kuvendi i Kosovës – Skupština Kosova për një muaj kushtojnë 185,000 Euro. Mëditjet për pjesëmarrje në seanca për 120 deputetë, për një muaj kushtojnë 30,000 Euro”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Ndërsa, ka kërkuar sqarim për mungesën e deputetëve në seanca.

“Pse po mungojnë më shumë se gjysma e deputetëve në seanca? Kuvend që funksionon! Deputetë që nuk mungojnë”.

Kuvendi i Kosovës.

Kritika për mungesë të deputetëve në seanca plenare ka pasur edhe më herët kjo pasi Kuvendi i Kosovës ka filluar me seanca vetëm para dy javësh, pasi që deputetët ishin përkushtuar më shumë në zgjedhjet lokale.

Më 26 nëntor, ka dështuar përzgjedhja e nëntë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se në Kuvend janë vetëm 57 deputetë, duke mos u mundësuar krijimi i kuorumit të nevojshëm.

“Unë konstatoj se ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm. Nuk ka kushte për t’u votuar Bord i RTK-së prandaj mendoj se duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, deklaroi Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore